Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj u është drejtuar qytetarëve të Gjakovës, prej të cilëve ka marrë mesazhe të shumta.
Përmes një postimi në Facebook, Lekaj ka thënë se e di shumë mirë rëndësinë e investimit në këtë komunë, duke shtuar se e di mirë që është e vështirë të riparohen katër vitet e humbura kur komuna e Gjakovës nuk ishte nën udhëheqjen e AAK-së.
“Qytetarë të Gjakovës, kohëve të fundit kam pranuar shumë mesazhe nga ju, dhe me të drejtë kërkoni që të jemi afër jush. Dua të ju them që unë e di shumë mirë se sa i rëndësishme dhe i nevojshëm është investimi në rrugën e Cufadolit, e Rekës së Keqe, në Cërmjan, në Has e në çdo cep të komunës së Gjakovës, por e di shumë mirë se sa i nevojshëm është investimi edhe në çdo komunë anë e mbanë Kosovës. Është e vështirë t’i riparojmë katër vitet e humbra kur komuna e Gjakovës ishte e “vdekur” për nga funksionaliteti i saj, por bashkë me kryetarin, Ardian Gjini, jemi duke punuar çdo ditë, pa u ndalur, që t’i kthejmë investimet e Qeverisë qendrore që munguan për tetëmbëdhjetë vite, gjithmonë duke mos i harruar edhe komunat tjera. Për mua mesazhet e juaja janë lajmi më i mirë për vendin, sepse, më në fund është kthyer shpresa dhe besimi tek Ju, duke besuar fuqishëm që është dikush i cili po punon për ju. Prandaj, po ju drejtohem me këtë mesazh, që t’ju tregoj për përkushtimin tim të përditshëm në ndërtimin e një infrastrukture të zhvilluar. Bashkë mundemi!”, ka shkruar Lekaj.