Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policia e Kosovës-Njësia e Veçantë e hetimeve të premten ka realizuar bastisje në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku ka arrestuar dy zyrtarë ndërkaq bastisje ka pasur edhe në një shtëpi, dy banesa e në një restorant.
Pas këtyre bastisjeve janë arrestuar dy zyrtarë të MINT-it, drejtori i Departamentit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, ish-sekretarin Irfan Lipovica.
Po ashtu është arrestuar edhe Ridvan Muharremi, person që u raportua i afërt me kryeministrin Albin Kurti.
Dy zyrtarët e MINT-it akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa i arrestuari i tretë dyshohet për “dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Arrestimet e fundit që lidhen me keqpërdorimet me rezervat shtetërore i ka komentuar deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.
Ai në një prononcim për Front Online ka thënë se për tre vjet qeverisje ka pasur vetëm kepërdorim të parasë publike.
Me këto veprime, Lekaj thotë se Qeveria po e tregon fytyrën e vërtetë.
“Kjo Qeveri tani po tregon fytyrën dhe rezultatet e vërteta të qeverisjes. Për tri vite pushtet të Qeverisë Kurti, meqë nuk kemi punë, projekte, zhvillim e mirëqenie, po kemi keqpërdorime të parasë publike dhe projekteve që do ta zhvillonin vendin tonë”, tha ai për Front Online.
Lekaj konsideron se ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari duhet menjëherë të dorëhiqet.
Pas dorëheqjes, Lekaj thotë se ministrja duhet të hetohet dhe gjykohet për veprat e njëpasnjëshme në dëm të shtetit dhe qytetarëve.
“Është dështim i Ministres Rozeta Hajdari, e cila nuk numëron asnjë sukses si Ministre ndërsa dështimet i ka të panumërta prej që është në këtë pozitë. Dorëheqja dhe kërkim falja ndaj qytetarëve dhe vetë shtetit është akti i parë, ndërsa akti i dytë duhet të jetë hetimi dhe gjykimi mbi veprat e saj të njëpasnjëshme. Madje unë edhe në vazhdimësi në Komisionet Parlamentare i kam shfaqur këto shqetësime dhe i kam kërkuar dorëheqjen mbi punën e saj, gjë për të cilën jam kritikuar nga pozita”, u shpreh ai për Front Online.
Arrestimet e fundit/ Deputeti Lekaj: Janë përgjegjësi e Qeverisë “Kurti”
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, arrestimin e asamblistit të Vetëvendosjes, Besnik Mujeci, e së fundmi edhe arrestimet në Ministrinë e Tregtisë, i konsideron si përgjegjësi e Qeverisë Kurti.
Ai në një prononcim për Front Online thotë se të gjitha këto zhvillime ndodhën nën ombrellën e Qeverisë “Kurti”.
Deputeti Lekaj thotë se me kohë qytetarët që i besuan Kurtit do ta ndëshkojnë për veprimet dhe të kqijat që po ia bënë vendit.
“Dy arrestimet e fundit dhe të gjitha abuzimet e pushtetit të ndodhura në këtë Qeveri, janë nën ombrellën e Qeverisë Kurti, ai është kryeministër, i ka ministrat dhe njerëzit e tij, prandaj përgjegjësia bie mbi të. Pra, të mirat dhe të këqijat janë pjesë e tij, e të cilat i gjykon dhe vlerëson koha dhe e vërteta. Qytetarët, ngadalshëm por sigurt janë duke e kuptuar këtë Qeveri dhe këta njerëz, të cilët nuk dinë dhe nuk duanë që ta zhvillojnë jetën dhe mirëqenien e kosovarëve. Qytetarët ja kanë dhënë besimin me 51% dhe të njëjtit me kohë do ta ndëshkojnë nga humbja e besimit në qeverisje”, deklaroi ai për Front Online.
Pal Lekaj: Martin Berishaj, kryevepër e keqmenaxhimit të parasë publike
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj derisa foli për arrestimet e fundit në vend dhe keqmenaxhimet, sipas tij, që po ndodhin në shumë sektorë, ka përmendur edhe ambasadorin Martin Berishaj.
Ai thotë se skandalet në vend nuk janë më befasi derisa Berishajn e quan si kryevepër e keqeaxhimit të parasë publike.
“Martin Berishaj me shumë të tjerë janë kryevepra të menaxhimit të keq e të dëmshëm të të mirave publike të shtetit të Kosovës. Më skandalet dhe rastet e reja të keqpërdorimeve në vendin tonë nuk janë befasuese dhe të rastësishme. Urojmë dhe besojmë që drejtësia të triumfojë dhe meritorët ta marrin shpërblimin që duhet nga gjykatat”, deklaroi ai për Front Online.
Drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica, dhe afaristi Ridvan Muharremi, janë arrestuar të premten gjatë një aksioni policor, nën dyshime për dallavere me rezervat shtetërore.