Site icon PrishtinaPress

Pak para ndeshjes, Shaqiri me postim emocionues: Ka qenë ëndërr të luaj një herë në Kosovë

Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë nesër ndeshjen ndaj Zvicrës, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Në prag të kësaj ndeshje, Xherdan Shaqiri para pak çastesh ka bërë një postim në llogarinë e tij në “Instagram”.

“Gjithmonë ka qenë ëndërr të luaj një herë në Kosovë, aty ku kam lindur. Do të shijoj çdo sekondë”, ka shkruar futbollisti nga Zhegra, i cili mbron ngjyrat e “Helvetikëve”.

Kujtojmë se ndeshja mes Kosovës dhe Zvicrës do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim prej orës 20:45.

Kjo do të jetë përballja e parë zyrtare mes ekipeve të dy shteteve, teksa i takon kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Kosova është e pesta dhe e parafundit në Grupin I me 3 pikë, aq sa ka edhe Bjellorusia një pozitë më lartë.

Në këtë grup prin Zvicra me 10 pikë, e ndjekur nga Rumania me 8 sosh. Izraeli është i treti me 7 pikë. Andorra është e fundit me vetëm 1 pikë.

Exit mobile version