-0.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Pak disponim për zgjedhje në Veri

Pavarësisht se situata është e qetë në veri, banorët serbë të komunave veriore nuk po shprehin vullnet për të marrë pjesë në zgjedhje apo peticion që çon drejt tyre. E analistët vlerësojnë se Qeveria dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të angazhohen për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve. Peticionin nuk e shohin si zgjidhje për heqje sanksionesh as për organizim të zgjedhjeve në veri

Situata në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe vazhdon të jetë e qetë. Por banorët vendas kërkojnë një lloj qetësie tjetër – ku nuk kanë nevojë të dalin në protesta e barrikada.

Shumë prej tyre, të dielën, u shprehën kundër mbajtjes së zgjedhjeve të reja, sipas metodës që ka paraparë Qeveria e Kosovës.

Më 1 shtator u fut në fuqi udhëzimi administrativ përmes të cilit mund të kërkohen zgjedhje të reja në komuna, nëse 20 për qind e votuesve marrin dhe votojnë pro në peticione.

Banori nga Mitrovica e Veriut, Svetomir Boshkoviq, u shpreh se ende nuk janë përmbushur kërkesat që i kanë artikuluar Serbia dhe Lista Serbe, që nga koha kur serbët e veriut dhanë dorëheqje nga shumica e institucioneve të Kosovës nëntorin e vitit të kaluar.

Teksa përmendi asociacionin, shprehu mosgatishmëri për të marrë pjesë në nënshkrimin e peticionit apo në zgjedhje.
“Është e duhur që zgjedhjet të mbahen, të jenë legale dhe legjitime. Mirëpo ka kushte që së pari duhet plotësuar. Të tërhiqen të gjitha forcat policore, të lirohen hapësirat komunale dhe arsimore”, ka thënë Boshkoviq.

Mileva Bashçereviq thotë se pa asociacion serbët nuk do të dalin në zgjedhje.

“Duhet të mbahen zgjedhjet, të formohen komunat me shumicë serbe dhe të jetojmë të gjithë së bashku dhe të kemi të drejta të barabarta. Edhe policët të jenë serbë e shqiptarë. Nuk do të dalin qytetarët në zgjedhje nëse nuk ka Asociacion të komunave me shumicë serbe”, ka thënë banorja Bashçareviq.
Qeveria nuk ka pranuar kërkesën që kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin-Potokut, të gjithë shqiptarë nga zgjedhjet e prillit ku nuk morën pjesë serbët, të japin dorëheqje.

Bashkimi Evropiani ka kërkuar që te zgjedhjet të shkohet përmes rrugës më të shpejtë, pra duke përjashtuar peticionin.

Analisti politik Branisllav Kërstiq mendon se zgjedhjeve në veri duhet t’i hapet rruga përmes dorëheqjeve të kryetarëve.

Ai u shpreh se Kosova është nën sanksione, shkaku i mungesës së veprimeve për shtensionim që i ka kërkuar Bashkimi Evropian.

“Në qoftë se jemi në drejtimin e shtensionimit të situatës pse Qeveria jonë nuk e shkurton atë proces, pse nuk po i thërret kryetarët e komunave në veri të vendit për të dhënë dorëheqje? Pse ata hynë në projektin e braktisjes së institucioneve dhe çfarë kushtesh kanë pasur? Tash ata po të hyjnë në zgjedhje pa asociacion dhe pa largimin e njësive speciale nga veriu më duket se nuk do të kenë asnjë kredibilitet brenda komunitetit serb”, ka thënë Kërstiq.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pjesë e marrëveshjes, për të cilën janë dakorduar Kosova dhe Serbia vitin e shkuar. Asociacioni ishte paraparë edhe me Marrëveshjen e Brukselit më 2013.

Ndërkohë, mbajtjen e zgjedhjeve apo peticionit në këtë pikë e sheh të pamundshme edhe analisti Albinot Maloku.

Sipas tij, Kosova duhet të insistojë te ndërmjetësit që marrëveshja për rrugën drejt noramalizimit të nënshkruhet dhe të hiqen masat ndëshkuese të BE-së.

Maloku thotë se duhet të bëhet një dakordim i veçantë për zgjedhjet në veri, teksa i quan të pakuptimta kërkesat për formim të asociacionit në këmbim të pjesëmarrjes në zgjedhje.

“Marrëveshja e Bratislavës do të duhej të ishte një marrëveshje politike që do të reflektonte vullnetin nga spektri politik serb i cili duhet të marrë pjesë në procesin zgjedhor dhe që të mos kemi më pastaj probleme të cilat nuk do të konkretizonin stabilizimin politik e më pastaj edhe atë të sigurisë e ekonomik në këto katër komuna. Sot korpusi politik serb nuk e sheh edhe momentin e pjesëmarrjes së tyre në një proces zgjedhor, për faktin që vendosen kushte deri në non-sens nga këto subjekte politike që në një formë ose tjetër gjithsesi që dirigjohen nga Beogradi zyrtar”, ka vlerësuar Maloku.
Qeveria e Kosovës ka deklaruar vazhdimisht se masat e BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe se zgjedhjeve do t’iu hapet rrugë përmes miratimit të udhëzimit administrativ që mundëson shkarkimin e kryetarëve me peticion.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, u pajtuan në Bratislavë lidhur me hapat drejt shtensionimit të situatës në veri.

Pika e tretë e saj parasheh deklarimin publik të Qeverisë se i mbështet zgjedhjet në veri dhe që ekzekutivi të gjejë forma ligjore për t’iu hapur rrugë atyre.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img