Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Financave, Hekuran Murati, më 3 shtator ka qenë kritik ndaj kryetarëve të komunave të Kosovës, të cilët nuk i kanë dërguar listat e punëtorëve të arsimit ashtu siç ka kërkuar MF-ja, shkruan Prishtinapress.
Lista të tilla të mësimdhënëseve janë kërkuar për të evidentuar ata që do të futen në grevë, në mënyrë që t’iu ndalet pagesa.
Kurti ka thënë se këto komuna që po e bojkotojnë kërkesën e Ministrisë së Financave, i kanë shpallur luftë shtetit.
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherit dhe ish-deputet i kësaj partie, Zenun Pajaziti, ka thënë se kjo qeveri po e përçan shoqërinë në kohën më të ndjeshme.
“Është pa-aftësi totale e qeverisë me u marrë me nevojat e qytetarëve Paaftësi me u përball me kriza. Të mos flasim për aftësi me u marrë me reforma të premtuara. Në vend që të hap dialog për zgjidhje më të mira ai jep lëmoshë sikur janë nga xhepi i tij. Është shqetësuese. Po e përçan shoqërinë në kohën më të ndjeshme”, tha Pajaziti për Prishtinapress.
Në një prononcim dhënë portalit Prishtinapress, Pajaziti tha se është absurde sjellja e kryeministrit karshi komunave dhe sindikatave.
“Absurde. Ka disa ditë që sikur edhe sindikatat, edhe komunat po i kërkojnë zgjidhje, takim, dialog. Ai se do askënd, si beson askujt. Është shqetësuese si sillet ai me të gjithë. Po i kërcënon edhe Komunat sikur sindikatat. Një pamje zhgënjyese jo veç për qeverinë por për imazhin e vendit tonë” shtoi Pajaziti.
Tutje, Pajaziti Qeverinë Kurti e quan të paaftë, duke thënë se Kosovën e ka rikthyer edhe në tema edhe në kohë.
“Jo që nuk po i përmbush por as nuk ka indikacione që do ta bëje së shpejti. Dhe kjo do të jetë një problem më i madh se sa një ndryshim apo rënie qeverie. Për më tepër po humbet shpresa e qytetarëve për ide, vizione e njerëz të rinjë . Ky lidership i pa aftë na ka rikthyer edhe në tema edhe në kohë . Besoj qe së pari votuesit e tyre do të kërkojnë llogari për kohën e humbur dhe kauzat e tyre të trilluara. Shteti, flamuri, kufiri, dialogu, nepotizmi, korrupsioni, “Dehari” e shumë çka tjetër së shpejti do të jenë pyetje të votuesve të tyre. Pyetje dhe përgjegjësi“, përfundoi Pajaziti.
Kujtojmë se më 29 gusht, ministri Murati kishte deklaruar se punëtorët e sektorit publik që janë në grevë, nuk do të marrin pagë të plotë nga Qeveria e Kosovës.
Mos-ekzekutimi i pagave për punonjësit tjerë që janë në grevë, po konsiderohet joligjor dhe vendim që mund të radikalizojë formën e grevës.
Për shkak të mosekzekutimit të pagave, më 1 shtator, Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kundër ministrit të Financave, Hekuran Murati./Prishtinapress/