Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti ka reguar ndaj deputetes së Vetëvendosjes, Aida Dërguti. Kjo e fundit ka thënë në Kuvend se Edita Tahiri, ministre për Dialog, ka gënjyer për një letër që Dërguti i ka dërguar ITU-së për kodin telefonik, shkruan Indeksonline.
Dërguti është shprehur se “Edita më tha që e kam keqpërdor logon e Kuvendit, ajo harron që unë jam nënkryetare e Kuvendit dhe më lejohet ta përdori”.
Lidhur me këtë, Zenun Pajaziti ka thënë se kodi është marrë dhe ITU është institucion që nuk e pyet asnjë deputet, por që kjo temë nuk duhet të diskutohet kur mungon ministrja për të cilën po flitet.
“ITU ka qenë një partnere në një proces të gjatë pas dialogimit ku ne e kemi përfituar një kod telefonik. Askush nuk ka të drejtë t`i përdorë nënshkrimet e qytetarëve për qëllime politike. Sot nuk ishte mirë të devijohej agjenda e kësaj seance dhe të devalvohet ajo që është arritur në vend. ITU nuk e pyet asnjë deputet, kodi është marrë dhe është mirë që kjo të mos keqpërdorej. Duhet të debatohet kur është prezent edhe ministrja”, është shprehur ai.