Site icon PrishtinaPress

Paguheshin nga Serbia 1,700 euro, aktakuzë ndaj dy të dyshuarave që paraqiteshin si mjeke në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, ka ngritur aktakuzë ndaj dy të pandehurave të cilat kanë ushtruar veprimtari të kundërligjshme mjekësore në aneksin e objektit të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, të pandehurat nga data e pacaktuar, në vazhdimësi e deri më 31 janar 2024, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, duke u paraqitur si anëtare të një OJQ-je dhe si mjeke, kanë ofruar shërbime dhe trajtime mjekësore për qytetarët e Kosovës.

“Po ashtu, me datë, kohë dhe vend të njëjtë, pas zbatimit të urdhër kontrollit nga ana e Policisë së Kosovës, të pandehurave të lartcekura, u janë gjetur në posedim barëra e produkte mjekësore pa banderola të Republikës së Kosovës dhe pa prejardhje, duke iu shërbyer qytetarëve të Kosovës, pa ju bërë kontrolle të nevojshme nga personi apo institucioni i autorizuar, çka me këtë kanë rrezikuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa qenë të licencuara dhe të autorizuara nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, e për të cilat shërbime kanë pranuar pagesa të rregullta mujore nga autoritetet e shtetit të Serbisë, në shumën deri 1,700.00 euro.”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokurori i Shtetit, i ka propozuar gjykatës, që të pandehurat të shpallen fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë, si dhe ka propozuar që barnat dhe produktet mjekësore të konfiskohen dhe të njëjtat të asgjësohen sipas procedurës së paraparë ligjore.

Exit mobile version