Site icon PrishtinaPress

Paga, pajisjet e vjetruara, pse po e braktisin uniformën ushtarët e FSK-së

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) prej vitesh është institucioni më i besueshëm në vend. Përkundër kësaj, në këtë institucion vazhdon të ketë kërkesa për demobilizim. Vetëm në vitin 2021, uniformën e FSK-së e kanë lënë mbi 50 pjesëtarë. Kurse, siç ka njoftuar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, nga radhët e komunitetit serb janë tri kërkesa për demobilizim.

Arsyet e demobilizimit të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë nga më të ndryshmet.

Kryesisht, nga ekspertët e sigurisë përmendet paga si shkaku kryesor. Sipas procedurave në fuqi, dhjetëra ushtarë kanë shkëputur kontratën e shërbimit me FSK-në. Ish komandanti i FSK-së, gjeneral Kadri Kastrati, thotë për Radio Kosovën se fenomeni i largimit nga ushtria është i dëmshëm edhe për ushtrinë edhe për Kosovën.

“Unë po të isha ministër i Mbrojtjes, do të kisha mbledhur edhe stafin civil edhe ushtarak dhe do ta analizoja gjendjen se pse po ndodhë ky fenomen”, thotë Kastrati.

“Kështu po ndodhë për shkak të inflacionit të madh. Pagat nuk kanë lëvizur fare”. Kastrati deklaron se paga minimale e ushtarit është 380 euro.

“Pajisjet e vjetruara. Mendimi im është që për shkak të situatës globale dhe situatës në rajon, ne duhet të fokusohemi te Ushtria dhe Policia, që këto dy institucione t’i kemi të afta për t’i kryer detyrat e tyre”, tha Kastrati për Radio Kosovën.

Deputeti i PDK-së, njëherësh anëtar i Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje, Hisen Berisha, thotë se ikjet nga FSK-ja nuk janë të rekrutëve të rinj, por janë staf i specializuar, që sipas tij, trajnimet dhe shkollimet e tyre jashtë vendit kanë kushtuar rreth 200 mijë dollarë.

“Ka ikje masive nga FSK-ja por jo të rekrutëve të rinj, por të atyre që janë trajnuar, shkolluar dhe specializuar”, thotë Berisha.

“Pagat e ulëta janë ato që po nxisin pjesëtarët e FSK-së të largohen nga ky institucion”.

Ish ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, thotë se në bazë të një raporti të Ministrisë së Mbrojtjes, vetëm gjatë tetë muajve të këtij viti, nga FSK-ja janë larguar 70 ushtarë.

Ai thotë se nga Ministria nuk kanë marrë kurrfarë arsyetimi se pse këta ushtarë kanë lëshuar FSK-në.

“Ne nuk i kemi arsyetimet pse këta pjesëtarë po demobilizohen, por është në nivelin e supozimeve, besoj që shumë shpejt do t’i kemi faktet”, thotë Quni.

Sipas tij, supozimet janë se ushtarët janë demotivuar për shkak të trajtimit të tyre. “Gjendjës së rëndë ekonomiko-sociale, ngarkesa e madhe në punë, kërkesa të mëdha dhe benefitet për punë që ata kryejnë, nuk janë të drejta”, thotë ai.

Ndërkohë, për sa i përket paralajmërimit për largimin e pjesëtarëve serbë nga FSK-ja, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke thënë se janë tri kërkesa për demobilizim, e të cilat u shpreh se janë duke u ndjekur të gjitha procedurat e rregullta./Prishtinapress/

Exit mobile version