1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Padia ndaj Kuvendit dhe deputetes: Veprimet e tyre cenuan dinjitetin e LGBTIQ+

Pesë organizata jo-qeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS); Qendra për Barazi dhe Liri (CEL Kosova); Qendra për Zvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD); Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ); dhe Civil Rights Defenders kanë paraqitur sot një Padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe më pas do të paraqesin një ankesë në Institucionin e Avokatit të Popullit, për shkak të siç thonë cenimit të dinjitetit dhe diskriminimit të personave LGBTIQ+, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të datës 16 mars 2022.

Padia dhe ankesa janë paraqitur kundër Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kundër deputetes, Labinotë Demi-Murtezi.

“Sjellim në vëmendjen tuaj se në këtë ditë, më 16 mars, Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti seancë plenare në të cilën bëri edhe shqyrtimin e parë të Projekt-Kodit Civil të Republikës së Kosovës. Siç e kemi parë dhe dëgjuar të gjithë publikisht, gjatë kësaj seance u zhvillua debat polemizues në lidhje me dispozitat specifike të Projekt-Kodit Civil, të cilat kishin të bënin me bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me seks të njëjtë.

Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se qëndrimet kundërthënëse dhe diskutimet polemizuese parlamentare janë tipar themelor i parlamentarizmit në vendet demokratike. Por kjo liri dhe privilegjet që gëzojnë deputetët nuk mund të abuzohen për të stigmatizuar dhe demonizuar persona apo grupe të caktuara të shoqërisë tonë”, thonë këto organizata.

Sipas tyre, as deputetët nuk e kanë atë të drejtë dhe as institucioni i Kuvendit nuk duhet të lejojë dhe tolerojë një gjë të tillë.

Sipas tyre, drejtuesi i seancës plenare të Kuvendit nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim për të mos lejuar apo për ta sanksionuar një gjuhë të tillë – siç e përcakton Rregullorja e Kuvendit.

“Këto deklarata të deputetes znj. Demi-Murtezi dhe disa deputetëve të tjerë, si dhe tolerimi i tyre nga ana e Kuvendit, kanë cenuar dinjitetin e personave LGBTIQ+, si dhe kanë pasur efekt poshtërues dhe diskriminues ndaj tyre.

Edhe Avokati i Popullit është shprehur publikisht, lidhur me gjuhën e përdorur në seancën e 16 marsit 2022, se, citojmë: Kjo ka qenë ndoshta shpërfaqja më e qartë e gjuhës së urrejtjes dhe qasjes jo tolerante dhe jorespektuese ndaj të drejtave të personave LGBTIQ+”, thuhet më tej.

Sipas tyre, Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës, sikundër edhe konventat për të drejtat e njeriut që zbatohen në vendin tonë, u garantojnë të gjithë individëve dhe grupeve shoqërore, duke përfshirë edhe personave LGBTIQ+, të drejtën e mos cënimit të dinjitetit, mbrojtjen nga trajtimi poshtërues, si dhe mbrojtjen nga diskriminimi.

Ata më tej deklarojnë se kanë qenë dëshmitar të sulmeve apo planeve për sulme terroriste, ndaj personave LGBTIQ+, siç ishin rastet në Dokufest dhe në paradën e mbajtur në Prishtinë.

“Ne nuk aludojmë në asnjë mënyrë që Kuvendi apo deputetë të caktuar kanë për qëllim të nxisin dhunë apo diskriminim ndaj personave LGBTIQ+. Por, një efekt i tillë prodhohet nga fjalime homofobe dhe cilësime stigmatizuese, siç ishin ato të disa deputetëve në seancën e 16 marsit 2022 dhe, sidomos, tolerimi i tyre nga Kuvendi.

Prandaj, përmes kësaj padie dhe ankese ne dëshirojmë, jo vetëm të mbrojmë të drejtat kushtetuese të personave LGBTIQ+, por edhe të ngrisim vetëdijen shoqërore – sidomos tek deputetët – për të drejtat e këtij komuniteti të cenueshëm të shoqërisë tonë”, thonë më tej.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img