Site icon PrishtinaPress

Pacolli reagon pas takimit të Osmanit me Presidentin e Kenisë

Ish-presidenti Behgjet Pacolli, është deklaruar pas takimit që presidentja Osmani pati me homologun e saj të Kenisë, William Ruto.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Pacolli është shprehur i lumtur për këtë takim, duke theksuar se për të “interesat e vendit janë gjithmonë para atyre politike”.

“Jam i lumtur që miku im, Presidenti i Kenias, William Ruto takoi sot këtu në Neë York, Presidenten tonë, Vjosa Osmani. Ky është një hap tjetër drejt krijimit të besimit të Kenias me Republiken tonë. Për mua interesat e vendit janë gjithmonë para atyre politike”, shkroi Pacolli.

Në kuadër të vizitës së saj në ShBA, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka zhvilluar takim edhe me presidentin e Kenias, William Ruto.

Ruto është mik i liderit të AKR’së Behgjet Pacollit. Ky vend i madh afrikan ende s’e ka njohur Kosovën.

Në mars të ketij viti Kenia kishte njohur pasaportat e Kosovës.

“Në këtë takim, Presidentja Osmani e ka falënderuar homologun Ruto pas vendimit të Kenias për njohjen e pasaportave të Republikës së Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka shtruar nevojën e thellimit të marrëdhënieve diplomatike në të mirë të qytetarëve dhe shteteve”, njofton presidenca.

Ndër të tjera u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kenias, si dhe nxitjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike, dha detaje nga ky takim zyra e presidentes.

 

Exit mobile version