Site icon PrishtinaPress

Pacolli për agjencinë spanjolle: Rasti i Kosovës nuk ka të bëjë me atë të Katalunjës

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, shprehu sot besimin e tij për një njohje të shpejtë nga Spanja të pavarësisë së vendit të tij, dhe përsëriti se rasti i Kosovës nuk është “i krahasueshëm” me situatën në Katalunja.

Në një intervistë për EFE-n, me rastin e dhjetëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë nga Serbia, Pacolli nënvizoi se “ajo çfarë ndodh në Kosovë nuk është e krahasueshme me atë që ndodh në Spanjë-është tërësisht e ndryshme”.

“Besojmë se Spanja do të dijë ta zgjidhë këtë problem shpejt”, tha ministri, duke shtuar se “askujt në Kosovë nuk i shkon mendja ta krahasojë situatën e Spanjës ose atë të Katalunjës; nuk mund të krahasohet me Kosovën-janë dy çështje të ndryshme”.

“Edhe pse dikush mendon se Spanja është kundër Kosovës, ne e konsiderojmë Spanjën si vend mik i Kosovës”, nënvizoi ai.

“Dhe besoj që do të ndodhë (njohja e pavarësisë), nëse jo sot, nesër, pasi që Kosova nuk ka bërë asgjë kundër Spanjës, në mënyrë që ajo, të themi- në thonjëza- ta urrejë Kosovën”, qartësoi ai.

Pavarësisht të keqes evidente që po i bën Kosovës pengesa në rritje e Spanjës për prezencën e saj në organizmat ndërkombëtare qëkur janë shtuar tensionet politike për shkak të sfidës separatiste në Katalunja, Pacolli e tregon fytyrën e tij më të mirë diplomatike.

I sapoardhur nga Gjermania, ku mori pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih, Pacolli sot do të marrë pjesë në ceremoninë festive të dhjetëvjetorit të pavarësisë së vendit të tij, në Prishtinë, e cila do të shoqërohet nga një sërë intervistash dhe aktesh të tjera institucionale.

“Ne kemi miq nga Spanja-kemi ushtarët me të cilët kemi pasur një përvojë fantastike”, kujton Pacolli, duke iu referuar vendosjes së misionit të KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, në të cilin nja 22.000 ushtarë spanjollë morën pjesë ndërmjet qershorit të vitit 1999 dhe shtatorit të vitit 2009.

“Askush në Kosovë nuk mundet ta kuptojë pse Spanja e kundërshton pavarësinë tonë”, insistoi ministri, duke e ripërsëritur vështirësinë e tij në të kuptuarit e qëndrimit spanjoll, i cili përkon me atë të Rusisë ose Kinës, krahas qëndrimit të vetë Serbisë.

Pavarësisht kësaj, Pacolli fton biznesmenët spanjollë që të investojnë në vendin e tij që, sipas tij, pas dhjetë viteve të pavarësisë ka arritur përmirësim në infrastrukturë, duke shtuar se ka një popullatë shumë të re, me një vizion global, që flet gjuhë të huaja dhe që ka kapacitete atraktive për biznesmenë.

Ai është optimist në mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me vendin fqinj-Serbinë dhe nuk lë pa e thënë se “Pavarësia jonë është rezultat i një lufte”.

Pacolli mbron procedurën ndërkombëtare të kësaj shpalljeje të pavarësisë (të cilën tashmë e njohin më shumë se njëqind vende, së fundi edhe Barbadosi), duke përsëritur se “nuk ishte e njëanshme”, dhe se ligjshmëria e saj është vërtetuar tashmë.

“Që gati njëzet vjet bisedojmë me Serbinë dhe mendoj që kësaj radhe dialogu do të jetë pak më ndryshe, do të jetë i limituar në kohë, ndërsa punët do të jenë shumë mirë të definuara”, nënvizoi Pacolli, duke shpjeguar vizionin e tij të mundësisë së arritjes së kësaj marrëveshjeje, e cila do t’ia lehtësonte kandidaturën e vendit të tij në një anëtarësim eventual në Bashkimin Evropian.

“Shpresoj që ky vit të përmbyllet me Deklaratën e këtyre bisedimeve dhe të kemi një marrëveshje me Serbinë, e cila do të duhet të pranojë se Kosova ekziston dhe është një vend i pavarur, dhe që Kosova është fqinji ynë i rëndësishëm për paqe dhe prosperitet në Ballkan”, shtoi ai.

Po ashtu, mosmarrëveshja me Malin e Zi-fqinji tjetër me të cilin Kosova ka disa dallime kufitare, mund të përfundojë me vendimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, që të propozojë tashmë miratimin parlamentar të marrëveshjes.

Kjo është njëra prej kushteve të Bashkimit Evropian, bashkë me luftën kundër korrupsionit, për të pranuar që të shqyrtohet kandidatura kosovare.

Ndonëse e pranon kompleksitetin e disa variabëlve ekonomikë, siç është shkalla e papunësisë, e cila është nja 25 për qind (e të cilën UNDP-ja e çon deri në 58 për qind te të rinjtë), Pacolli siguron se deri në fund të këtij viti presin ta kalojnë shifrën prej 4,5 për qind, sa pritej rritja e GDP-së, “në më shumë se 5 për qind”.

Pacolli konsideron se vendi i tij, i cili merr pjesë rregullisht në takimet e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior, është “gati, de facto, një anëtar” i NATO-s dhe shton se “është i përgatitur për çfarëdo sfide”.

Ai nuk konsideron se Kosova është veçanërisht e kërcënuar ose më shumë e kërcënuar sesa Evropa, pavarësisht se (edhe pse me një popullsi kryesisht myslimane) është në shënjestër si eksportuese e xhihadistëve nga shërbimet sekrete perëndimore.

Ai siguron se ka qenë “më pak se 160” numri i anëtarëve kosovarë të grupit terrorist Shteti Islamik, “porse sot nuk ka asnjë” që gjendet në radhët e këtij grupi.

Megjithatë, ai thotë se u duhet t’i “ndihmojnë disa familje që të kthehen në shtëpitë e tyre”.

 

 

Exit mobile version