-1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Pacolli padit pronarin e “Rezonancës”, i kërkon kthimin e borxhit prej 250 mijë euro

Në seancën e mbajtur të mërkurë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dëgjuar në cilësi të palës paditëse ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli i cili ka paditur pronarin e Universitetit të Shkencave Mjekësore “Rezonanca” Ramadan Idrizaj dhe po kërkon kthimin e huasë në shumën prej prej 250 mijë euro.

Pacolli tha se i padituri Idrizaj në vitin 2006 i ka thënë në zyrën e tij se i duhet ta paguaj një borxh prej 250 mijë euro dhe i ka kërkuar ta ndihmojë dhe se nëse ia huazon atë shumë të hollash për të qenë më korrekt do t’ia lërë atij një shtëpi si hipotekë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai shtoi se më 20 prill 2006 e kishte nënshkruar një dokument të cilin ia kishte prezantuar i padituri Idrizaj.

Po ashtu ai tha se kishte dëgjuar shumë gjëra të pahijshme për të paditurin dhe prej atëherë kishte vendos që t’i kërkoj mjetet në mënyrë ligjore.

“Dua që mjetet e huazuara të më kthehen me interes edhe pse ia kam huazuar të njëjtat pa interes”, tha Pacolli.

Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të të paditurit, avokatit Skender Musa, paditësi Pacolli tha se të paditurin Idrizaj nuk e ka njohur para vitit 2006, përkundër faktit se ky i fundit pretendon janë takuar në klinikën “Rezonanca” më herët me babin e tij.

Pasi që është ballafaquar me dy kontrata të cilat i janë dorëzuar nga avokati Musa, Pacolli shtoi se në ato kontrata nuk është nënshkrimi i tij dhe se lidhur me to ka bërë një denoncim ne Lugano të Zvicrës për falsifikim të nënshkrimit.

Më pas avokati Musa, e pyeti paditësin Pacolli se pasi që kishte pasur një marrëveshje edhe  24 gusht 2005 me të paditurin Idrizaj, përveç këtyre dy marrëveshjeve a kishin pasur edhe ndonjë projekt të përbashkët për ndërtimin e një spitali dhe të një shkolle, të cilën e kishte përgatitur “Mabetex Group”.

Një pyete e tille u kundërshtua nga përfaqësuesit e paditësit Pacolli avokati Shkumbin Asllani dhe avokatja Edita Ismaili dhe rrjedhimisht u refuzuar edhe nga gjykata.

Ndërkaq, në fillim të seancës, avokatja Ismaili tha se propozimi i paditësit lidhur me zgjerimin e padisë në aspektin subjektiv i 24 majit 2013 nuk është shqyrtuar ende nga gjykata .

Në anën tjetër avokati Musa, ka kërkuar nga gjykata që ta hedhë poshtë si të palejuar padinë e paditësit pasi që ka kaluar afati i parashtrimit të kërkesës për kthimin e huasë.

Ai po ashtu ka propozuar që në këtë procedurë të dëgjohet edhe i padituri Idrizaj në cilësi të palës.

Gjatë rrjedhës së kësaj seance, pasi që i ishte tërhequr vërejtja të paditurit Idrizaj nga ana e gjykatës për shkak se në vazhdimësi ka fyer paditësit, gjykatësi Përparim Zeka përmes aktvendimi e ka detyruar të njëjtin ta lirojë sallën e gjykimit.

Tutje, gjykatësi Zeka e ka aprovuar propozimin e paditësit lidhur me zgjerimin e padisë në aspektin subjektiv, ndërsa arsyetimet lidhur me këtë do të jepen në vendim.

Në këto rrethana seanca e sotme ka përfunduar, ndërsa e radhës është caktuar më 6 shtator 2023.

Ndryshe, më 24 maj 2013, paditësi Bexhet Pacolli ka bërë precizimin dhe zgjerimin e padisë në aspektin subjektiv ashtu që tani e tutje përveç të paditurit të parë Universitetin e Shkencave Mjekësore “Rezonanca”, si palë e paditur të jetë edhe Ramadan Idrizaj.

Sipas padisë së 4 shtatorit 2008, paditësi Bexhet Pacolli president (c.e.o) i “Mabetex Group” ka paditur Universitetin e Shkencave Mjekësore “Rezonanca” për kthimin e huasë në shumën prej 250 mijë euro dhe ka bërë propozimin për lëshimin e urdhër pagesës.

Në padi thuhet se, me plotësimin e nevojave të debitorit/të paditësit për mjetë financiare për të investuar në objekte të tij, paditësi dhe i padituri kishin arritur marrëveshje më 20 prill 2006 që paditësi Pacolli t’ia huazojë të paditurit shumën prej 250 mijë euro me obligim që huaja të kthehet në mënyrë të parevokueshme dhe pa të drejtë në kundërshtimet eventuale në ftesën e parë të paditësit.

Sipas padisë, duke u bazuar në marrëveshjen e lartcekur kreditori/paditësi nga llogaria e tij personale tek Banka Ekonomike ia ka paguar shumën prej 250 mijë euro.

Gjithashtu, sipas padisë paditësi disa herë përmes bisedës telefonike dhe në mënyra tjera e ka ftuar të paditurin që ai t’ia paguaj borxhin mirëpo ky i fundit nuk ka vepruar sipas marrëveshjes së arritur për kthimin e huasë dhe ende edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë nuk i’a ka kthyer atë borxh.

Andaj, mbi këtë bazë paditëse po kërkon që të urdhërohet i padituri Universiteti i Shkencave Mjekësore “Rezonanca” që paditësit Pacolli në emër të kthimit të huasë t’ia paguaj shumën e tërësishme prej 250 mijë euro me kamatë prej 9%, në emër të shpenzimeve të procedurës e të gjithi këto në afat prej 8 ditësh si dhe shumën prej 266 euro në emër në shpenzimeve të procedurës .

Gjykata Komunale në Prishtinë më 1 dhjetor 2008 e ka aprovuar propozimin për dhënien e urdhër pagesës ashtu që është urdhëruar i padituri Universiteti i Shkencave Mjekësore “Rezonanca” që paditësit Bexhet  Pacolli, në emër të kthimit të huas t’ia paguaj shumën prej 250 mijë euro me 4,6% kamatë ligjore të cilën do ta paguajë për mjetet e deponuara në 12 muaj pa destinim të veçantë duke filluar prej 21 majit 2007 e deri në pagesën definitive.

Ndërsa më 9 shkurt 2009 i padituri kundër aktvendimit të lartcekur, ka paraqitur prapsim, me të cilin urdhër pagesa goditet në tërësi dhe atë s ai përket legjitimitetit pasiv të të paditurit, shumë ssë gjykuar dhe shpenzimeve të caktuara, pasi që në marrëveshjen për huazim e lidhur mes palëve figuron se marrëveshja është lidhur mes “person fizik Bexhet Pacolli dhe person fizik Ramadan Idrizaj” dhe qartë rezulton se Universiteti i Shkencave Mjekësore “Rezonanca” nuk ka legjitimitet pasiv.

Po ashtu në prapsim thuhet se marrëveshja për huazim e cila është objekt i këtij kontesti përmban edhe shënimin “për këtë huazim nuk aplikohet kurrfarë interesi”, mirëpo gjykata sërish ka detyruar të paditurin që me urdhër pagesë të paguajë edhe kamatë vjetore./BetimipërDrejtësi

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img