Site icon PrishtinaPress

Pacolli: Me propozimin franko-gjerman, Kosova po bën kompromise të mëdha

Kanë mbetur vetëm edhe tri ditë që kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksander Vuçiq do të takohen në Ohër.

Nuk dihet ende se çka pritet të ndodhë në këtë takim, deri sa kryeminsitri Kurti ka thënë se është optimist për marrëveshje në Ohër, por sipas tij pala tjetër nuk do të nënshkruajë.

Për takimin e 18 marsit dhe planin franko-gjerman, për Front Online ka folur ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Ai, ka thënë se Kosova duhet të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE-ja, të mbështetur nga SHBA.

Por, se për propozimin franko-gjerman thotë se nuk është ai që e ka pritur populli i Kosovës.

“Propozimi aktual nuk është ai që populli i Kosovës ka shpresuar dhe i është premtuar me vite, por ofron një derë të vogël për të ndryshuar status-quo-në aktuale që nuk është në interesin e Kosovës”, ka thënë Pacolli për Front Online.

Sipas tij, me propozimin aktual evropian, Kosova po bën kompromise të mëdha.

Kjo, për shkak që siç thotë Pacolli, këto kompromise mund të kenë potencial për të thelluar polarizimin dhe për të krijuar sfida të reja për vendin në të ardhmen.

“Me këtë propozim Kosova po bën kompromise të mëdha që kanë potencial për të thelluar polarizimin dhe për të krijuar sfida të reja për vendin në të ardhmen. Mbetet pyetja kryesore pse partnerët tanë kryesorë hoqën dorë nga qëllimi i njohjes reciproke?Sigurisht arsyeja janë disa situata kaotike në veri vitin e kaluar dhe moskoordinimi i veprimeve të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht me Uashingtonin, që ka kthyer situatën në një problem sigurie në kohën e luftës në Ukraine dhe tani qëllim nuk është më njohja reciproke por stabiliteti”, ka thënë Pacolli

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka thënë se duhet të kërkohet mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë njohjen nga pesë shtetet që ende se kanë njohur Kosovën.

Kjo, pasi që sipas tij, është e rëndësishme të kemi udhërrëfyes për finalizimin e shtetësisë.

“Është e rëndësishme të kërkohet mbështetje nga BE-SHBA për të marrë njohjen nga 5shja e BE-së, Planin e Veprimit të Anëtarësimit në NATO dhe anëtarësimin e shpejtë në Këshill të Evropës, Agjencitë e Specializuara të OKB-së dhe Interpol. Pra, është e rëndësishme që të kemi një udhërrëfyes të qartë për finalizimin e shtetësisë në mënyrë që të mos kalojmë dekadën e ardhshme duke dialoguar se për çfarë ishin pajtuar palët tek Propozimi Francez-Gjerman”, është shprehur ai.

Thotë se Kosova sa i përket dialogut duhet të mësojë nga përvoja e marrëveshjes së Prespës kur jo gjithçka që iu premtua Maqedonisë së Veriut u realizua.

“Partnerët tanë duhet të nxjerrin mësime nga dekada e fundit në dialog, por edhe Kosova duhet të mësojë nga përvoja e Marrëveshjes së Prespës kur jo gjithçka që iu premtua Maqedonisë së Veriut u realizua, ne shohim stagnimin në procesin e zgjerimit të BE-së”, ka thënë Pacolli

E, deri sa ka folur për të drejtat e pakicave në vend, ka pohuar se Kosova është kampione në të drejtat e pakicave.

Ai, nuk ka lënë pa përmendur edhe integrimin e serbëve të Kosovës.

“Kosova është kampione sa i përket të drejtave të pakicave. Komuniteti ndërkombëtar duhet ta njohë lidershipin e Kosovës në rajon si një demokraci reale për të gjithë qytetarët e saj. Integrimi i serbëve të Kosovës nuk është penguar nga Kosova, por nga politika hegjemoniste e Serbisë”, është shprehur ndër të tjera Pacolli.

Behgjet Pacolli, ka kërkuar që Kosova të jetë konstruktive dhe në rast të dështimit të procesit mos të fajësohet.

Ish-ministri i Jashtëm, ka pasur edhe një kërkesë për palën kosovare para takimit të 18 marsit në Ohër.

“Kosova duhet të jetë konstruktive dhe të mos jetë ajo që duhet fajësuar nëse procesi dështon, po ashtu Kosova nuk duhet të shkojë me synimin që pala tjetër të mos e pranojë propozimin, por të jetë konstruktive dhe e hapur me partnerët tanë duke ndarë dhe diskutuar atë që ne si vend synojmë dhe atë që ne nuk e pranojmë në mënyrë të ndershme dhe të sinqertë”, ka shtuar Pacolli

Para takimit të 18 marsit i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, do të qëndrojë në Kosovë dhe Beograd.

Ndërsa, i njëjti është raportuar që do të jetë prezent edhe në takimin që do të mbahet në Ohër.

Exit mobile version