Site icon PrishtinaPress

Pacolli i kërkon Vatikanit njohjen e Kosovës

Në Selinë e Shenjtë në Vatikan, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, sot u takua me sekretarin e Shtetit, Paul Richard Gallagher.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se temat kryesore të bisedës ishin zhvillimet në Kosovë, forcimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Selisë së Shenjtë të Vatikanit.

Pacolli e njohu bashkëbiseduesin me një bilanc të përparimit të brendshëm dhe të afirmimit të shtetësisë së Kosovës, që sot njihet në botë nga 115 shtete.

“Kosova sot në dhjetëvjetorin e vet ka një kuadër kushtetues model për marrëdhëniet ndëretnike, të cilat kanë njohur përmirësim të jashtëzakonshëm. Bashkëjetesa fetare, gjithashtu është shembull për rajonin”, ka thënë Pacolli, përcjell Telegrafi

Në takim Pacolli kërkoi shtim të kontakteve midis Kosovës dhe Vatikanit, rritje të nivelit të përfaqësimit dhe njohje të shtetit të ri të Kosovës, si kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Nga ana e tij, Kardinali Gallagher, njohës i mirë i zhvillimeve në rajon dhe në Kosovë, tha se, “ju e njihni mirësinë që ka Ati i Shenjtë, Papa Françesku, dhe Selia e Shenjtë ndaj popullit të Kosovës. Ne i dimë aspiratat e popullit tuaj dhe i vlerësojmë ato. E dimë se komuniteti katolik i vendit tuaj dëshiron të rrisë nivelin e organizimit në dioqezë dhe ne do të bëjmë hapa të matur. Ne nuk kushtëzohemi nga askush, por thjesht duam që të mirëkuptohemi nga të gjithë aktorët në rajon, për çdo hap që bëjmë. Ne jemi të gatshëm të rrisim bashkëpunimin me Kosovën”.

Duke falënderuar për dhuratën që riprodhonte me figurën e Nënë Terezës, Kardinali Gallagher tha se, “ne duam që figura e Nënë Terezës të shërbejë si simbol i bashkimit për rajonin tuaj.”

Kardinali Gallagher kërkoi informacion prej bashkëbiseduesit të tij për gjendjen e të rinjve në Kosovë, në pikëpamje të punësimit, të aktivizmit shoqëror.

Exit mobile version