Site icon PrishtinaPress

Pacientja i kërkon dëmshpërblim Klinikës “Aloka” pas ndërhyrjes kirurgjike të “tmerrshme” që ia keqësoi gjendjen

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dëgjuar në cilësi të palës, paditësja V.A, e cila tha se pas ndërhyrjes në Klinikën Kirurgjike “Aloka”, ka shkuar në Turqi, ku doktori i ka thënë se urgjentisht duhet të bëjë një intervenim në nënsqetull dhe pjesën e djathtë të gjirit si dhe i kishte thënë se ndërhyrja e bërë në Kosovë ka qenë e tmerrshme dhe pa dimensione dhe se nuk kanë kursyer pjesë të tjera të trupit.

Këtë deklarim, paditësja V.A e ka bërë të mërkurën në rastin ku së bashku me A.A dhe A.A po kërkojnë nga Klinika Kirurgjike “Aloka” kompensimin e dëmit material dhe jomaterial në shumë prej 3 mijë e 500 euro, për trajtim të pandërgjegjshëm.

Në seancën e së mërkurës, paditësja V.A, duke u përgjigjur në pyetjen e përfaqësuesit të saj, avokatit Fatbardh Makolli tha se fillimisht ka kryer një kontroll në Spitalin Amerikan, pasi e njëjta me profesion është notere dhe ka kryer për të njëjtin shërbime noterie, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, tha se mjekët në Spitalin Amerikan e kanë sugjeruar që të bëjë një intervenim kirurgjik.

V.A deklaroi se pas shumë vizitave në klinika të ndryshme, ka vendosur që të bëjë një intervenim tek Klinika Kirurgjike “Aloka”, përkatësisht tek kirurgu Shqiptar Demaçi, me të cilin njihet familjarisht dhe të cilit i ka thënë se ka dhimbje në dorën e djathtë dhe se sipas konsultimeve me mjeken Emine Disha, i ka thënë se ka problem tek nënsqetulla.

Ajo shtoi se i njëjti i ka thënë se doktoresha doktor nuk bëhet.

“Kur kam shkuar në kontroll tek mjeku i lartpërmendur, ia kam përshkruar gjendjen dhe i kam dorëzuar raportet mjekësore paraprake, unë jam ankuar për shkak të dhimbjes së dorës së djathtë dhe sipas konsultimeve me mjeken Emine Disha, më ka thënë se problemin e ke tek nënsqetullat. Mjeku Demaçi më ka thënë se doktoresha doktor nuk bëhet e lema ti këtë punë , unë e vazhdoj punën në mënyrën time”, deklaroi paditësja.

V.A ka thënë se Demaçi i kishte propozuar që të shkonte tek Klinika Kirurgjike “Aloka” ku e njëjta ka bërë ndërhyrjen kirurgjike dhe ku e kanë marrë materialin nga ndërhyrja dhe e kanë dërguar në laborator, mirëpo një ditë pas ndërhyrjes Demaçi i kishte thënë të njëjtës që duhet patjetër që të kryejë edhe një intervenim tjetër dhe pastaj paditësja pas një grindjeje është larguar nga mjeku.

Paditësja theksoi se pas këtyre ngjarjeve është konsultuar më mjekë të ndryshëm në mesin e të cilëve edhe me doktorin Xheladin Reçica, i cili e ka konsultuar që të largohet jashtë vendit dhe të nesërmen është nisur për në Turqi, ku e ka pritur një doktor i klinikës “GaziosmanPasa”.

Ajo shtoi se doktori në fjalë i ka bërë një rezonancë magnetike dhe i njëjti pastaj i kishte propozuar që urgjentisht të bëjë një intervenim në nënsqetull dhe pjesën e djathtë të gjirit si dhe i kishte thënë se ndërhyrja e bërë në Kosovë ka qenë e tmerrshme dhe pa dimensione dhe se nuk kanë kursyer pjesë të tjera të trupit.

Pas intervenimit që kishte bërë, paditësja tha se është kthyer në Kosovë ku ka vazhduar me kimioterapi për rreth 2/3 vite dhe e njëjta tha se nuk dëshiron asgjë vetëm që të zbardhet e vërteta sepse kjo ngjarje për të ishte një luftë.

Në pyetjen e përfaqësuesit të saj, avokatit Makolli se a i kanë parashtruar pyetje tek klinika se për çfarë arsye ka ardhur, paditësja A.V tha se gabimi është bërë fillimisht tek Spitali Amerikan, kur e kanë bërë incizimin dhe biopsinë e rrejshme, ku ka konstatuar se ka qenë një fibroadenom apo cistë.

Pasaj, thkson se kishte shkuar tek doktoresha Emine, e cila i ka thënë se nuk duhet të neglizhohet dhe pasi që ka shkuar tek Demaçi dhe i kishte treguar se doktoresha i ka thënë që intervenimi duhet të jetë më i gjerë, i njëjti iu kishte kundërpërgjigjur duke i thënë që ta lejojë ta bëjë punën e tij.

Në anën tjetër, në pyetjen e përfaqësuesit të paditurës, avokatit Adem Vokshi se sa kohë ka qëndruar apo për sa kohë është kontrolluar në Spitalin Amerikan dhe se a i kujtohet rezultati i biopsisë, paditësja A.V ka thënë se ka qëndruar prej disa muajsh dhe se sipas rezultateve nuk ka pasur asgjë të rrezikshme.

Më pas, avokati Vokshi e ka pyetur se a ka qenë ndonjëherë tek e paditura pas intervenimit kirurgjik dhe nëse ka qenë në ndonjë spital tjetër para klinikës dhe për këtë e njëjta ka thënë se nuk ka qenë.

Ajo u pyet se a e ka refuer mjeku në Ferizaj në bazë të raporteve mjekësore apo në bazë të ndonjë kontrolle dhe se kur spitali në Turqi e ka marrë mostrën për biopsi, a i kanë sugjeruar menjëherë që të bëjë intervenimin.

Për këtë, paditësja ka thënë se doktori i kishte bërë edhe kontrollën rurtinore dhe se gjithashtu ia ka dorëzuar të gjitha raportet mjekësore dhe se materialin nga ndërhyrja kirurgjike tek “Aloka” e ka marrë me vete në një enë dhe e ka dërguar në Turqi, material të cilin mjeku në Turqi e ka hedhur në shportë, ku pastaj e kishte futur në rezonancë.

Pas kësaj, përfaqësuesi i paditëses, avokati Makolli e pyeti të njëjtën se në cilën pjesë të trupit ishte operuar tek e paditura dhe në cilën pjesë në Turqi.

Për këtë, V.A, është përgjigjur duke thënë se tek e paditura intervenimi është bërë në pjesën e sipërme të gjirit të djathë, ndërsa në Turqi intervenimi është bërë në tërë pjesën e nënsqetullës dhe është hequr gjiri.

Në seancën e së mërkurës, avokati Makolli gjithashtu ka thënë se qëndron pranë propozimeve për dëgjimin e dëshmitarëve dhe ekspertizës së propozuar, të cilin propozim e ka kundërshtuar avokati Vokshi, i cili gjithashtu ka kërkuar nga gjykata raportet mjekësore nga Spitali Amerikan.

Gjyqtarja Donikë Dobruna ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të paditësve, avokatit Makolli për dëgjimin e dëshmitarëve Xheladin Reçica dhe Emine Disha, si dhe ka obliguar palën paditëse që në afat prej 3 ditësh t’ia dorëzojë gjykatës raportet mjekësore nga Spitali Amerikan.

Seanca e radhës do të mbahet më 3 mars.

Sipas padisë së ushtruar më 12 prill 2016, paditësja V.A. po kërkon kompensimin e dëmit material dhe jomaterial nga e paditura Klinika e Kirurgjisë “Aloka”.

Në padi thuhet se tani paditësja V.A, kishte kryer disa vizita mjekësore tek e paditura, konkretisht në departamentin e Kirurgjisë Torakale më 2 shtator 2015, ku Dr. Shqiptar Demaçi e kishte udhëzuar që e njëjta t’i nënshtrohet një operacioni për konstatim më të detajuar të gjendjes së saj, ku e njëjta këtë operim thuhet se e kishte kryer më 4 shtator 2015.

Bazuar në padi, pas operimit tani paditëses V.A i ishte konfirmuar se ajo nuk vuante nga ndonjë sëmundje dhe nuk ka asgjë shqetësuese në lidhje me atë që ajo kishte dyshuar.

Tutje, në padi thuhet se paditësja pas kësaj kishte bërë disa vizita mjekësore jashtë vendit dhe atë në “MedicalPark”, në Turqi e cila klinik ia ka konstatuar asaj se vuante nga një sëmundje e rëndë, gjë që Klinika Kirurgjike “Aloka” në Prishtinë si rezultat i neglizhencës, joseriozitetit apo paaftësisë gjatë kontrolleve të bëra po në atë periudhë, e njëjta nuk e ka diagnostikuar sëmundjen me kohë si pasojë e trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor.

Sipas padisë, për shkak të këtyre lëshimeve nga tani e paditura klinika “Aloka”, paditësja dhe familja e saj kanë pësuar trauma të rënda psikike, shqetësime dhe serioze për shëndetin.

Me anë të kësaj padie, paditësit V.A, A.A. dhe A.A., po kërkojnë nga gjykata që të detyrohet e paditura që atyre t’ua kompensojë dëmin material dhe jomaterial në shumën prej 3 mijë e 500 euro si dhe shpenzimet e procedurës.

Ndryshe sipas përgjigjes në padi të dhënë më 8 janar 2020, e paditura Klinika Kirurgjike “Aloka”, e ka kundërshtuar në tërësi padinë dhe kërkesëpadinë e paditësve si për nga baza ashtu edhe nga lartësia e saj, me arsyetimin se paditësja i ka dorëzuar vet provat materiale me të cilat vërtetojnë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe janë vetëm pretendime të paditëses të pandërgjegjshme, të ulëta e që kanë vetëm një qëllim të përfitojë joligjshëm materialisht.

Tutje, në përgjigje në padi thuhet se e paditura ka bërë operimin e tani paditëses brenda afatit prej tri ditësh, ndërsa në Turqi thuhet se ajo ka kryer procedura të tjera sipas protokolit onkologjik dhe verifikimit imunohistokimit që është procedurë e cila duhet të vazhdojë pas diagnostikimit të sëmundjes së rëndë.

Mbi këtë bazë, e paditura ka kërkuar nga gjykata që ta refuzojë në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e paditësve duke kërkuar edhe shpenzimet e procedurës.

Exit mobile version