Drejtori i Klinikës së Otorinolaringologjisë (ORL) në QKUK, Hajdin Thaçi, ka thënë për “Zërin” se rreth 1.880 operacione gjatë këtij viti janë realizuar në këtë klinikë.
Fatmirësisht, sipas tij, asnjëri nga operimet nuk ka përfunduar me fatalitet.
“Në Klinikën e ORL-së në ditë realizohen mesatarisht 15 deri në 20 operacione të llojeve të ndryshme, nga operacionet më të lehta tek ato më të rënda, të cilat janë më voluminoze. Për fat të mirë në këtë vit nuk kemi pasur asnjë rast që është shoqëruar me vdekje në operacion. Konsideroj që operacionet janë kryer me përgjegjshmëri të madhe profesionale, por edhe me përkushtim, që kanë rezultuar me sukses. Lëmi i ORL-së përfshin gamë të gjerë të trajtimeve, kemi trajtim kirurgjik të patologjisë së hundës, të veshit, të fytit dhe të qafës”, ka thënë ai.