2.7 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Pacientët në fund të jetës braktisen nga shteti

Kujdesi paliativ konsiderohet si ndihmë e ruajtje e dinjitetit të qytetarëve kur ata janë në fazën terminale të sëmundjes, veçanërisht atyre malinje. Por ky shërbim do të duhej të ofrohej edhe për pacientët me sëmundje të pashërueshme.

Megjithatë, në Kosovë vetëm vizitat shtëpiake i konsiderojnë si kujdes paliativ. Për dallim nga shtetet e tjera, Kosova nuk ka asnjë qendër ditore apo njësi në spitale që kujdeset për këta pacientë 24 orë në ditë. Kosova është një nga vendet e pakta që nuk ofron kujdes paliativ 24-orësh për pacientët në gjendje të rëndë e që shpeshherë konsiderohen në fazën terminale të jetës.

Premtimi për shërbim të tillë është përsëritur nga viti në vit. E në buxhetin e vitit 2023, paratë për këtë shërbim figurojnë që janë ndarë.

Megjithatë, ato çka ofron shërbimi paliativ i pjesshëm i Kosovës është larg nga ajo që ofrojnë vendet e tjera.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se shteti paguan 20 euro për një vizitë shtëpiake te pacientët e shërbimit paliativ.

“Për buxhetimin e kujdesit paliativ Ministria e Shëndetësisë bazuar në kompetencat e ligjit në fjalë ka kërkuar nga komisioni i Granteve që të bëjë buxhetimin dhe e njëjta është aprovuar si buxhet për vitin 2023. Buxheti në fjalë është i ndarë në të gjitha komunat dhe ka kosto të përgjithshme 2.2 mil euro, ku bazuar në planin e veprimit për vizitat në shtëpi i aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë është llogaritur një kosto prej 20 eurosh për një vizitë të kujdesit paliativ”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë.

Vit pas viti deputetë të pushtetit aktual e të opozitës ngritën çështjen e kujdesit paliativ.

Veçanërisht për pacientët me kancer, kur janë në fazën e fundit të sëmundjes, pasi spitalet e Klinika e Onkologjisë nuk ofron kujdes 24-orësh për ta.

Pacientë të shumtë me sëmundje malinje në fazën e fundit të tyre të jetës kanë nevojë për një kujdes të tillë.

“Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka një qendër të tillë paliative edhe vendet siç janë Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi. Shqipëria e ka të organizuar në kujdesin shtëpiak. Numri i rasteve që kanë nevojë për kujdes paliativ në Kosovë është në rritje. Ne çdo ditë i kemi nga 10 pacientë që mbërrijnë në stadin terminal dhe neve na e vështirëson shumë punën”, ka thënë Ilir Kurtishi, drejtor në Klinikën e Onkologjisë.

Megjithatë, në Ministri të Shëndetësisë insistuan që ky shërbim ekziston.

“Ky shërbim është duke u ofruar nga Kujdesi Parësor Shëndetësor, mirëpo Ministria e Shëndetësisë është duke punuar në zbatimin e planit të veprimit për vizitat në shtëpi. Për plotësim terapia që përdoret për kujdes paliativ është e përfshirë në Listën Esenciale të Barnave që nga viti 2019”, thuhet në përgjigjen Zyrës për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë.

KOHA sërish ka dërguar pyetje për të kërkuar përgjigje se nëse ekziston kujdesi paliativ, kush kujdeset për pacientët në gjendje të rëndë që kanë nevojë për 24 orë kujdes.

Herën e dytë këtyre pyetjeve u është përgjigjur sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, i cili ka thënë se qendra të tilla nuk ka në Kosovë dhe se “po punohet për t’i bërë”.

Megjithatë, krejt çka flitet për të është në “fazë studimi”.

“Nëse e keni menduar institucionin Hospicë për trajtimin paliativ të pacientëve me sëmundje malinje, Ministria e Shëndetësisë ka shqyrtuar mundësinë për një vlerësim të gjendjes në RKS. Mundësia e parë për një studim të tillë respektivisht financim të studimit ka qenë ajo e fazës II të fizibilitetit e konfirmuar me financimin e WBIF, e që pritet të nisë në këtë vit!”, ka deklaruar Sekretari i MSH-së, Naim Bardiqi.

Në literaturë profesionale shërbimi paliativ përshkruhet si një lloj i veçantë kujdesi që u nevojitet pacientëve që vuajnë nga sëmundje të pashërueshme.

Kujdesi për pacientin përfshin mbështetje mjekësore dhe psikologjike.

Shtetet e rajonit kanë qendra të shërbimit paliativ. Në Shqipëri, për shembull, Ligji për Shërbim Paliativ është në fuqi nga viti 2014.

Aty përcaktohet që ky kujdes të mos jepet vetëm në shtëpi, por në qendra të qëndrimit ditor e në njësi të spitaleve ekzistuese. Në Maqedoni, ligji për Kujdesin Paliativ ka kaluar në vitin 2019.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img