Kujtim Paçaku, deputet i Kosovës nga Grupi Parlamentar 6+, që sot mbajti një fjalim duke kritikuar akterët e “Pronto II” për ofendimet që i bënë komunitetit rom, thotë se është krenar që u duartrokit nga deputetët.
Në një nga përgjimet e publikuara të kësaj afere, deputeti Adem Grabovci dhe deputetja Safete Hadërgjonaj, i drejtohen këtij komuniteti me “maxhupë e gabelë”.
Sot Paçaku iu drejtua Kuvendit dhe menjëherë pas fjalimit të tij, atij i kërkuan falje publike kryeparlamentari Kadri Veseli e deputeti Adem Grabovci.
Kjo e ka gëzuar shumë deputetin Paçaku që thotë se është krenar që të gjithë deputetët duartrokitën pas fjalimit të tij.
“Atë gjë që e dëgjova nuk u ndjeva mirë. Mu kujtuan ditët e para në shkollë ‘maxhup e gabel’. Nuk më shkohej në shkollë, por dikur u binda të shkoj. Përgatita fjalimin të flas në Kuvend, por e lash fjalimin sepse besoja në vete, sepse kjo Kosovë nuk duhet të jetë me ‘maxhupë’ e ‘gabelë’. Komiteti rom duhet të jetë i barabartë me të tjerët. Këtë e thash unë. E thash atë që e mendova e planifikova. Më gëzoi fakti që kryetari i parlamentit më dha përkrahje, e edhe deputetët më dhanë përkrahje. Ajo që më gëzoi ishte që pas një kohe të gjatë dëgjova duartrokitje pas një kohe kur u mësuam me gaz me fyerje me ofendime. U ndjeva krenar që duartrokitën pozitë e opozitë”, ka thënë Paçaku në Interaktiv të KTV-së.
Deputeti i Kosovës thotë se kur pranoi kërkimfaljen e deputetëve, deputetja Hadërgjonaj u skuq. “Po, normalisht që deputetja Hadërgjonaj u skuq”, deklaroi ai.
Paçaku thotë se nuk e ka pasur të vështirë të ia falë deputetëve Grabovci e Hadërgjonaj, por thotë se një gjë e tillë do të ishte shumë e vështirë për fëmijët apo anëtarë tjerë të komunitetit rom.
“Unë di të fali, por çfarë kur të dëgjohet kjo nga fëmijët. Ai nuk dëshiron të shkojë në shkollë dhe disfavorizohet. Është fjalë e cila krijon autoparagjykim te vetë komuniteti”, ka shtuar ai