Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje. Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq i kanë hedhur nënshkrimet e tyre në letër.
Emisari special i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak njoftoi me kënaqësi për arritjen e dakordimit për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, për përmbajtjen e së cilës kishin negociuar dhe ishin dakorduar ish-kryeministrat Hashim Thaçi e Isa Mustafa, raporton Gazeta Express.
“Kam kënaqësinë të njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo kanë miratuar Udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjeve për energjinë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u shpreh i kënaqur sot, duke njoftuar që “më në fund” u morën vesh për implementimin e marrëveshjeve të kohës së Thaçit e Mustafës.
Ashtu siç paralajmëroi para pak ditësh, dakordimi i sotëm nuk e ndryshoi asnjë presje nga marrëveshjet e dakorduara në Bruksel në vitet 2013 dhe 2015, kohë kur në krye të shtetit ishin njëherë Hashim Thaçi, e më pas Isa Mustafa.
“Çdo dakordim eventual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi çështjen e energjisë, nuk do ndryshojë as edhe njё presje pёrtej asaj qё tashmë është dakorduar nё Bruksel nё vitet 2013 dhe 2015. Nё emёr tё Kosovёs, negocion vetёm Qeveria e Republikёs sё Kosovёs. Takimi mes KEDS dhe palёs serbe, i organizuar nё Stamboll me 9 qershor, ka patur vetёm objektivin e ofrimit tё garancive pёr katёr shёrbimet e dakorduara nё vitin 2015, vendosja e matёsve tё energjisё, mirёmbajtja e matёsve, faturimi dhe inkasimi dhe kёtё obligim e ka pёrmbushur”, ka shkruar Bislimi të hënën e javës së kaluar.
Në korrik të vitit 2013, Kryeministria njoftonte se atëherë kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri me anëtarët tjerë të delegacionit kishte marrë pjesë në bisedimet për çështjen e energjisë në Bruksel dy ditë radhazi. Pas dy ditësh diskutimesh intensive, njoftohej për “përparime shumë të rëndësishme që mund të çojnë drejt arritjes së marrëveshjes”.
Dy vjet më pas, në Bruksel u nënshkruan katër marrëveshje të rëndësishme për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi, përfshirë Asociacionin dhe atë për energjinë. Kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa, thoshte se ato e “ruajnë sovranitetin”.
Me të ardhur për herë të parë në pushtet, Albin Kurti premtoi rishikimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura me Serbinë.
“Së pari duhet ta shohim se çfarë është zbatuar, çfarë jo dhe duhet ta shohim se cila ishte përmasa e ndikimit të atyre marrëveshjeve në jetën e qytetarëve, t’i nxjerrim mësimet e duhura sesi të ecim sigurt përpara”, kishte thënë Kurti për “Ekonomia Online”, vetëm pak ditë pasi partia e tij fitoi për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të tetorit 2019.