Faton Klinaku nga OVL-UÇK ka thënë se jo vetëm që e mbështesin, por edhe marrin pjesë në protestën e organizuar nesër në Gjilan, për të kundërshtuar vizitën e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.
“Shoqëria jonë civile është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se nuk po gjykohen krimet dhe masakrat e pushtuesit, por përkundrazi po përdoren shpifjet e tyre për ta gjykuar UÇK-në”, ka shkruar ndër të tjera Klinaku në Facebook.
Kujtojmë se kjo proestë është thirrur nga Partia Socialdemokrate e Dardan Molliqajt.
Postimi i plotë i Klinakut:
Roli i secilit gjykatës, e aq më pak roli i kryetares së një Gjykate (në këtë rast pseudogjykatës speciale), nuk është që të edukoi shoqërinë civile e mediat.
– Shoqëria jonë civile është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se çfarë po ndodh me gjykimet politike në Hagë;
– Shoqëria jonë civile është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se njerëzit mbahen pengje që dy vite në paraburgim atje;
– Shoqëria jonë civile është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se nuk po gjykohen krimet dhe masakrat e pushtuesit, por përkundrazi po përdoren shpifjet e tyre për ta gjykuar UÇK-në.
Prandaj, edhe për shumë arsye të tjera, mbështesim dhe marrim pjesë në protestën e organizuar më 21.09.2022 (e mërkurë), ora 10:00, Hotel “Astoria”, Gjilan, për të kundërshtuar vizitën e znj. Ekaterina Trendafilova./Prishtinapress/