Site icon PrishtinaPress

Osmani: Vendimi i Kushtetueses s’lejon Asociacion njëetnik dhe me kompetenca ekzekutive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Radio Evropën e Lirë ka folur për kërkesën ndërkombëtare që Kosova të themelojë Asociacionin e Komunave Serbe. 

Osmani ka thënë se për një çështje të tillë ka marrë vendim Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe se ai vendim s’lejon Aosicaione njëetnike dhe që kanë kompetenca ekzekutive.

Radio Evropa e Lirë: Partnerët ndërkombëtarë po ashtu i kërkojnë Kosovës formimin e Asociaconit të komunave me shumicë serbe. A do ta formoni?

Vjosa Osmani: Partnerët ndërkombëtarë, natyrisht, që si parim të përgjithshëm e kanë që çfarëdo që është nënshkruar në Bruksel të zbatohet dhe ju e dini që në vitin 2013 është nënshkruar një marrëveshje, por në vitin 2015 ka pasur një marrëveshje dedikuar në mënyrë të veçantë Asociacionit të komunave serbe. Kjo marrëveshje është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe aty është e qartë që diku 23 nene të Kushtetutës sonë janë shkelur me atë që është dakorduar në Bruksel.

Prandaj, si udhëheqës të Republikës së Kosovës ne i obligohemi Kushtetutës sonë.

Radio Evropa e Lirë: A po ndërmerrni hapa të veproni në bazë të kërkesave të Kushtetueses?

Vjosa Osmani: Gjykata Kushtetuese ka treguar qartë që nuk mund të ketë Asociacion të komunave që krijon një entitet njëetnik, nuk mund të ketë Asociacion të komunave me kompetenca ekzekutive dhe nuk mund të ketë Asociacion, i cili krijon një shtresë të re apo të ndërmjetme të qeverisjes ndërmjet komunave dhe nivelit qendror, sepse të gjitha këto do të ishin në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Prandaj, pak a shumë, e ka trasuar rrugën përpara. Gjykata lejon që të formohen asociacione pa kompetenca ekzekutive, që nuk janë njëetnike. Pra, janë bashkim komunash që bashkohen për çështje të caktuara ose agjenda të caktuara dhe lobojnë për to tek institucionet qendrore.

Exit mobile version