Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Ukrainën në Ditën e Pavarësisë.
Me anë të një postimi në platformën “X”, Osmani ka thënë se në mes të hijeve të një lufte gjenocidale, shpirti i ukrainasve mbetet i pathyer.
“Zemra e një kombi rreh brenda popullit të tij dhe në mes të hijeve të një lufte gjenocidale, shpirti i ukrainasve mbetet i pathyer. Nga një tokë e forcës, demokracisë dhe shpresës në tjetrën, i urojmë popullit të guximshëm të Ukrainës Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, shkroi Osmani.
Çdo vit, data 24 gusht, për nder të miratimit të Aktit të Pavarësisë së Ukrainës nga Parlamenti i Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës, “Verkhovna Rada”, kujtohet si ajo e formimit të shtetit të Ukrainës në formën e tij moderne.
Një nga hapat e parë drejt pavarësisë ishte miratimi i Deklaratës së Sovranitetit Shtetëror të Ukrainës, nga Verkhovna Rada, më datë 16 korrik 1990.
Ky dokument është i një rëndësie të veçantë.
Edhe pse Deklarata nuk do të shpallte Pavarësinë e Ukrainës, ajo do ta përcaktonte atë si një shtet-komb sovran, sovraniteti i të cilit shtrihej në të gjithë territorin e vendit dhe në të gjitha sferat e shoqërisë ukrainase.
Pavarësisht se Ukraina mbeti pjesë e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, pas shpalljes së Deklaratës së Sovranitetit të Shtetit, nëpërmjet këtij dokumenti, do të demonstrohej vullneti i popullit ukrainas për pavarësi.
Po ashtu, do të ishte shtysa për fillimin e proceseve, të cilat përfunduan më 24 gusht 1991. Datë kur Parlamenti i Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës do të miratonte Aktin e Pavarësisë së Ukrainës.
Për të parën herë, Dita e Pavarësisë së Ukrainës do të festohej jo më 24 gusht, por më 16 korrik (Festimi i Ditës së Pavarësisë së Ukrainës u caktua për 24 gusht, sipas rezolutës të miratuar nga Verkhovna Rada të Ukrainës, më 20 shkurt 1992).
Fakti është se më datë 16 korrik 1990, kur Verkhovna Rada e Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës miratoi Deklaratën për Sovranitetin Shtetëror të Ukrainës.
Për të siguruar ekzistencën sovrane të Ukrainës, ishte e nevojshme të miratoheshin një sërë ligjesh të rëndësishme për: “Kufirin Shtetëror të Ukrainës”; “Forcat e Armatosura të Ukrainës”, “Themelimin Kombëtar të Shërbimit të Sigurisë” dhe të tjerë në periudhën 1991-1992.
Po ashtu, u miratuan simbolet kombëtare – himni, stema (trident, si stemë e vogël e Ukrainës) dhe flamuri.
Pas 1 dhjetorit 1991, filloi procesi i njohjes ndërkombëtare të shtetit të ri.
Vendi i parë që e njohu Ukrainën si të pavarur ishte Polonia, duke krijuar marrëdhënie diplomatike më 2 dhjetor të po këtij viti.
Gjatë 12 muajve të parë të ekzistencës si shtet sovran, pavarësia e Ukrainës u njoh nga më shumë se 130 kombe.
Në fillim të vitit 2001, vendosi marrëdhënie diplomatike me 153 vende të botës.