Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar shqiptarët me rastin e 28 nëntorit, ditës së flamurit.
Osmani ka thënë se më 28 nëntor të vitit 1912, populli shqiptar e kurorëzoi aspiratën për Shqipërinë e pavarur.
Osmani ka shtuar se ky akt së bashku me ngritjen e flamurit në Vlorë janë akte të shenjta të historisë sonë të përbashkët, të cilën e ndërtuam me mund dhe sakrifica.
“Kjo datë ka shumë peshë historike. Në këtë ditë ka lindur komandanti legjendar Adem Jashari dhe po në këtë ditë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u paraqit për herë të parë publikisht. Të dy këto ngjarje i japin edhe më shumë kuptim nëntorit, sepse bartin në vete frymën e lirisë, idealin e brezave që nga Skënderbeu, Ismail Qemajli, Isa Boletini e shumë patriotë të tjerë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo ka shtuar se në 109- vjetorin e pavarësisë, uroj që Shqipëria krahas Kosovës të ketë sukses në të gjitha fushat.