Presidentja Vjosa Osmani, gjatë konferencës që pati me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përmendur 48 bazat ushtarake serbe që janë rrotull kufirit me Kosovën.
E para e shtetit tha se përderisa Serbia po e rrit bashkëpunimin dhe po koordinohet me Rusinë për politikën e jashtme, e kundërta po ndodhë me Kosovën.
“Kosova është në përputhje të plotë me çdo vendim të politikës së jashtme dhe sigurisë me BE-në e NATO-n. Besoj që është shumë e qartë se kush janë partnerët e komunitetit euro-atlantik në rajonin tonë, por jemi të vetëdijshëm që përafrimi i Serbisë me Perëndimin është në interes të të gjithë neve”, tha Osmani.
Tutje, ajo tha se Serbia, duhet t’i kryej disa detyra shtëpie përpara se ta merr mbështetjen nga BE-ja.
“Serbia duhet të bëjë së paku disa detyra shtëpie, përpara se ta merr atë mbështetje që po e merr aktualisht sepse fondet e BE-së duhet të shkojnë krah për krah me vlerat e BE-së dhe kjo nuk po ndodh aktualisht”, tha ajo.