Site icon PrishtinaPress

Osmani thotë se delegatët 32 vjet më parë vendosën gurin themeltar të shtetësisë së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 32-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut.

“32 vjet më parë, gra e burra përfaqësues, me guximin qytetar e vetëdije kombëtare, e miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, e cila shënon aktin e parë në krijimin e rendit kushtetues të Kosovës dhe i fortifikon përpjekjet e brezave të tërë për shtet të pavarur”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Osmani tha se 32 vjet më parë, delegatët e atëhershëm vendosën gurin themeltar të shtetësisë së vendit.

“Sot, 32 vjet më pas, teksa e kujtojmë këtë datë historike, ne i përulemi guximit të delegateve e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, përkushtimit të tyre ndaj atdheut dhe këmbënguljes për ta parë të jetësuar shtetin e tyre. Duke e miratuar Kushtetutën, ata e vendosën gurin e parë, themeltar, të shtetësisë sonë. Me të nisi krijimi i identitetit kushtetues e shtetëror të Republikës së Kosovës. Përjetësisht mirënjohës për këtë akt historik”, ka shtuar ajo.

Osmani tha se përfaqësuesit e atëhershëm të Kuvendit, më 7 shtator 1990 i dolën zot vendit dhe e përjetësuan në kushtetutë vullnetin e qytetarëve të cilët i përfaqësonin, duke e vulosur përfundimisht përpjekjen për liri, demokraci e shtet të pavarur.

“Ata e sfiduan një shtet e një regjim të egër, duke i vënë themelet e palëkundura të Kosovës së pavarur”./Prishtinapress/

Exit mobile version