Site icon PrishtinaPress

Osmani: Thaçi po e rihap problemin e Kosovës me Serbinë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se presidenti Hashim Thaçi po jep shenja se është duke e rihapur çështjen e statusit të Kosovës në fazën finale të dialogut me Serbinë.

Osmani ka thënë se ndryshimi i kufijve është i papranueshëm pasi do ta destabilizonte rajonin, ndërsa autonomia për veriun do të përfundonte me ndarje të vendit.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme Vjosa Osmani ka thënë se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në mënyrë të njëanshme dhe pa mbështetjen e Kuvendit e ka marrë përsipër udhëheqjen e dialogut me Serbinë, gjë e cila është e papranueshme për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Në një intervistë për gazetën “Zëri” Osmani ka thënë se përmes deklaratave për heqjen e vijave të kuqe presidenti Thaçi po jep shenja se është duke e rihapur çështjen e statusit të Kosovës.

“LDK-ja tashmë e ka bërë të qartë që nuk përkrah Thaçin si kryenegociator dhe deklaratat e tij se nuk pranon as vija të kuqe e as parime udhëzuese gjatë negociatave janë tepër të rrezikshme. Në fakt, Thaçi, pa e mandatuar askush, po jep shenja se është duke e rihapur çështjen e statusit të Kosovës”, është shprehur Osmani.

Exit mobile version