1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Osmani takon sot krerët e partive politike për datën e zgjedhjeve, takimet nisin nga ora 13:00

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani do të takojë sot duke filluar nga ora 13:00, krerët e partive politike për të diskutuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

Kështu ka bërë të ditur, Bekim Kupina këshilltar për media i Osmanit, i cili ka thënë për Telegrafin se Osmani do t’i takojë partitë politike një nga një.

Ndryshe, siç bëhet e ditur Osmani fillimisht takon liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Takimi mes Osmanit e Kurtit pritet të mbahet në ora 13:00, ndërsa në ora 14:00 do ta takojë ish-shefin e saj, kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

Në ora 15:00 në zyrë të presidentes në detyrë do të shkojë ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj si dhe në ora 16:00 Osmani do ta takojë kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, është hapur rrugë për tu mbajtur zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë.

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi në zgjedhjen e Qeverisë Hoti dhe ka urdhëruar ushtruesen e detyrës së presidentes Vjosa Osmanin, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në afat prej 40 ditësh.

Ndryshe, sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 70, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, ndër të tjera, nëse një deputet dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.

Etem Arifi, pavarësisht se ishte i dënuar me vendim të formës së prerë, ai mori pjesë në seancën e 25 marsit, ku u rrëzua qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.

Po ashtu, ai ishte njëri nga 61 deputetët që më 3 qershor votoi për Qeverinë e re të Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img