Site icon PrishtinaPress

Osmani takon Ristuccian dhe shefin e EULEXi-t, mirëpret vendimin për shtimin e forcave të NATO-s në veri

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim edhe komandantin e KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia dhe shefin EULEX-it, gjeneral major Giovanni Pietro Barbano.

Përmes një komunikate për media, Presidenca njofton se në takim u diskutua lidhur me zhvillimet e fundit lidhur me sigurinë në Kosovë dhe me theks të veçantë ne veri dhe në vijen kufitare me Serbinë.

Presidentja Osmani falënderoi komandantin e KFOR-it dhe shefin e EULEX-it për bashkërendimin dhe bashkëpunimin e afërt me institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, ajo mirëpriti vendimin e NATO-s per te shtuar numrin e ushtareve në kuadër të KFOR-it si sinjal i qartë ndaj Serbisë që të heq dorë nga destabilizimi dhe rrezikimi i sigurisë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj që sfidat aktuale të sigurisë t`i tejkalojë me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë.

Ndryshe, më heret Osmani ka zhvilluar takime me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Sipas njoftimit të Presidencës, në takimet e ndara u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë lidhur me situatën e fundit të sigurisë në Kosovë.

Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serb, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Në aksionin në Banjskë të Zveçanit, nga përleshja e armatosur me Policinë kanë mbetur të vrarë tre terroristë, teksa janë arrestuar tetë prej tyre.

Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

NATO-ja ka shtuar forcat në veri.

Exit mobile version