Site icon PrishtinaPress

Osmani takon Ndihmës Sekretarin e NATO-s Goffus, diskutojnë për deeskalim të situatës në veri

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani takoi sot Ndihmës e Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për operacione, Thomas Goffus dhe delegacionin përcjellës nga NATO dhe KFOR-i.

Në takim u diskutua për situatën e sigurisë në veri të vendit dhe hapat për deeskalimin e saj.

Presidentja Osmani falënderoi Ndihmës Sekretarin Goffus për vizitën e tij dhe theksoi rëndësinë e pranisë së NATO-s në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Ajo theksoi përkushtimin e thellë të Kosovës për partneritet NATO-n dhe për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale.

Presidentja Osmani nënvizoi angazhimin e Kosovës për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me NATO-n.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj përgjegjësive tona si një partner i besueshëm i NATO-s, duke kontribuar aktivisht në sigurinë rajonale. Kosova do të vazhdojë të punojë ngushtë me NATO-n për t`i adresuar sfidat e sigurisë dhe promovimin e paqes dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar ndër të tjera Presidentja Osmani.

Në raport me situatën e sigurisë në veri, Presidentja Osmani theksoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe fuqizimin e sundimit te ligjit. Po ashtu ajo theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.

Exit mobile version