Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, i cili ishte i shoqëruar nga komandanti aktual, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia.
Përmes një komunikate për media, Presidenca njofton se në takim Osmani ka shprehur besimin e plotë në bashkëpunimin e ngushtë me Ulutaş në përmbushjen e synimeve të përbashkëta për paqe dhe siguri në Kosovë dhe rajon.
Ajo po ashtu ka folur për sfidat e sigurisë në veri të vendit, duke thënë se ato po shkaktohen për shkak të strukturave ilegale të dirigjuara nga Serbia.
“Ajo e njoftoi komandantin në ardhje të KFOR-it për këto sfida të sigurisë, të cilat në veri të vendit shkaktohen për shkak të strukturave ilegale të dirigjuara nga Serbia, të cilat poashtu kanë udhëhequr sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj si dhe sulmet e njëpasnjëshme ndaj policisë së Kosovës dhe gazetarëve”, thuhet në komunikatë.