Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në vizitën e saj të parë zyrtare në Berlin.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e parë të vizitës zyrtare në Gjermani ku po qëndron me ftesë të presidentit Frank-Walter Steinmeier është pritur me nderimet më të larta shtetërore.
“Faleminderit President Steinmeier për mikpritjen e ngrohtë. Miqësia mes dy shteteve tona është e përhershme”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Në takim me homologun Steinmeier, Presidentja Osmani e ka falënderuar për mbështetjen e deritashme dhe është angazhuar për thellimin e marrëdhënieve. Më tej, Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për njohje të reja, sikurse edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Gjermania ka mbështetur Kosovën në të gjitha aspiratat e saj integruese ndërkombëtare dhe evropiane: procesin e integrimit në BE, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe veçanërisht lobimin dhe mbështetjen për liberalizimin e vizave. Ne kemi nevojë për një zë të fortë mbi kërkesën tonë për liberalizimin e vizave, dhe nuk ka asnjë zë më të mirë se Gjermania. Ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Presim mbështetjen e Gjermanisë në këtë proces”, ka theksuar Presidentja Osmani në takim me presidentin Steinmeier.
Procesin e Berlinit, Presidentja Osmani e ka cilësuar shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
“Republika e Kosovës synon ta avancojë bashkëpunimin rajonal – në përputhje me planin e veprimit të krijuar në Sofje (2020) për krijimin e një tregu të përbashkët të katër lirive themelore (lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit)”, ka theksuar Presidentja Osmani. Sipas saj, çdo ide tjetër që synon të jetë paralele me zgjerimin e BE -së dhe Procesin e Berlinit, duke minuar parimin e pjesëmarrjes së barabartë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk do ta ketë mbështetjen e Republikës së Kosovës.
Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka ritheksuar se rezultati përfundimtar i tij duhet të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e rregullimit aktual kushtetues dhe kufijve aktual të Kosovës.
Në takim me presidentin Steinmeier, Presidentja Osmani ka përmendur lidhjen e veçantë të Kosovës me Gjermaninë, shkaku i mbi 400 mijë kosovarëve që jetojnë në shtetin gjerman. Më tej, znj.Osmani i ka thënë homologut Steinmeier se Kosova është e interesuar për rritjen e investimeve direkte nga Gjermania.
Presidentja Osmani ka theksuar, gjithashtu se Kosova është e interesuar edhe për nënshkrimin e disa marrëveshje me Gjermaninë, si ajo për transportin e mallrave dhe automjeteve, për heqjen e taksimit të dyfishtë, si dhe bashkëpunimin në çështjet e sigurisë. Ajo ka bërë të ditur se së shpejti pritet finalizimi i Memorandumit dypalësh për njohjen e patentë shoferëve të lëshuar nga Kosova.
Presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, e njeh mirë Kosovën dhe rajonin, pasi ka qenë një nga lobuesit e palodhshëm për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe njohjen e saj, pas shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt 2008.
Steinmeier atëherë ishte ministër i Jashtëm në qeverinë Merkel i dhe ka qenë i pranishëm edhe në varrimin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në fillim të vitit 2006.
Para se të fillonte detyrën si ministër i Jashtëm, ai ka qenë shef i kabinetit të ish-kancelarit gjerman, Gerhard Schröder.
Osmani gjatë vizitës së saj në Gjermani do të takohet edhe me ministrin e Jashtëm, Heiko Maas dhe përfaqësues nga diaspora, ekonomia dhe shkenca.