Site icon PrishtinaPress

Osmani sot në Departamentin amerikan të Shtetit

Image ref 117735159. Copyright Shutterstock No reproduction without permission. See www.shutterstock.com/license for more information.

(Radio Evropa e Lirë) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të takohet sot me një zyrtar të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) në Shtetet e Bashkuara.

DASH-i njoftoi në uebsajtin e vet se Osmani do të takohet me Louis L. Bonon, zyrtarin e lartë në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.

Presidenca e Kosovës nuk ka njoftuar për ndonjë takim të tillë.

Bono e mori detyrën më 20 janar, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e filloi zyrtarisht mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë dhe Osmani do të jetë udhëheqësja e parë kosovare që takohet me një zyrtar të administratës Trump.

Bono është anëtar i Shërbimit të Lartë të Jashtëm dhe së fundmi ka shërbyer si këshilltar i lartë për Negociatat në Kaukaz.

Ai ka punuar edhe në Ambasadën amerikane në Berlin, si dhe ka qenë zëvendëspërfaqësues i përhershëm në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Vjenë dhe në Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.

Osmani, e cila e kishte uruar Trumpin për fitimin e zgjedhjeve në nëntor, në fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës në fund të vitit të kaluar bëri thirrje para deputetëve për ruajtjen e marrëdhënieve me vendet aleate, duke thënë se cenimi i raporteve me këto vende e cenon vetë Kosovën.

Ajo tha asokohe se aleanca e Kosovës me vendet e tjera është “më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan”.

Osmani i bëri ato thirrje në një kohë kur Qeveria e Kosovës po kritikohej nga bashkësia ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për veprime të “njëanshme dhe të pakoordinuara” në veriun e banuar me shumicë serbe, të cilat lidheshin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi apo mbylljen e institucioneve serbe.

Vizita e Osmanit në DASH vjen dy ditë pasi i dërguari amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell tha se Shteteve të Bashkuara u duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas tij, nuk është e tillë.

Grenell – ish-ambasador amerikan në Berlin – i bëri këto kritika në rrjetin social X, më pak

se një javë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më 9 shkurt.

Exit mobile version