Site icon PrishtinaPress

Osmani shpreh ngushëllime për vdekjen e Gerti Bogdanit: Ishte përkrahës i palëkundur i Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike në Shqipëri, Gerti Bogdani, duke thënë se ai nuk ishte thjesht një deputet e aktivist politik i përkushtuar, por siç ka thënë ajo, një përkrahës i palëkundur i Kosovës.

Osmani u shpreh se në çdo rol që mbante dhe në çdo mundësi që iu dha, ai e mbështeti Kosovën me përkushtim dhe pasion, përcjell Klankosova.tv.

“Me dhimbje të thellë e pranuam lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të mikut, ish-deputetit demokrat dhe aktivistit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani. Ky lajm i hidhur preku zemrat, jo vetëm të familjes së tij, por të të gjithëve që e njohën, përfshirë edhe mua për më shumë se dy dekada”.

“Përkushtimi i tij i palëkundur dhe përpjekjet e tij të palodhura për ta afirmuar Kosovën dhe shqiptarët nuk do të harrohen kurrë. Gjithmonë do ta kujtoj Gertin, jo vetëm si një koleg, por si një mik të vërtetë, një njeri me integritet, bujari dhe besnikëri”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se ikja e parakohshme e tij është humbje jo vetëm për familjen, të afërmit, e miqtë, por edhe sipas saj, edhe për politikën dhe parlamentarizmin shqiptar.

“Humbja e tij është e pamatshme, ndërkaq dhimbja ime është me familjen, në këtë kohë të vështirë. Gerti iku, por pas la shëmbëlltyrën e profesionistit, politikanit dhe mbi të gjitha të njeriut të mirë”.

“Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Gerti Bogdanin”, ka thënë presidentja Osmani.

Exit mobile version