Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar masakrën në Likoshan dhe Qirez të Drenicës.
Osmani theksoi se kjo ditë tragjike është një dëshmi e brutalitetit të ushtruar mbi popullin tonë nga regjimi kriminal i Serbisë në zemrën e rezistencës, në Drenicë
“Më 28 shkurt 1998, regjimi gjenocidal i Millosheviqit kreu mizori të papërshkrueshme, duke marrë jetën e 24 shqiptarëve të pafajshëm në Likoshan dhe Qirez të Drenicës”, shkroi Osmani.
“Kjo ditë tragjike është një dëshmi e brutalitetit të ushtruar mbi popullin tonë nga regjimi kriminal i Serbisë në zemrën e rezistencës, në Drenicë. Përballë një tmerri të tillë, vendosmëria për të luftuar për çlirim vetëm sa u forcua. Vajzat dhe djemtë e UÇK-së, sakrifikuan gjithçka për lirinë e vendit tonë”.
“Në këtë 26 vjetor, nderojmë kujtimin e atyre që humbëm. Trashëgimia e tyre jeton në zemrat tona, ndërkaq sakrifica e tyre na nxit për të vazhduar kërkimin e drejtësisë. Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët në masakrat në Likoshan e Qirez!”.