Site icon PrishtinaPress

Osmani pret në takim lamtumirës shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim lamtumirë shefin e EULEX-it, Ambasadorin Lars-Gunnar Wigemark.

Në takimin me Ambasadorin Wigemark, Presidentja Osmani diskutoi edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe për bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës me EULEX-in për tejkalimin e këtyre sfidave.

Presidentja Osmani vlerësoi kontributin e EULEX-it në promovimin e sundimit të ligjit dhe theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës për të arritur qëllimet e sigurisë dhe sundimit të ligjit në secilën pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani dekoroi shefin e EULEX-it me medaljen presidenciale për sundimin e ligjit. Ajo theksoi rëndësinë e partneritetit mes institucioneve të Kosovës dhe organizatave partnere ndërkombëtare që operojnë në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit.

Presidentja Osmani falënderoi EULEX-in për bashkëpunimin e tyre me institucionet e Republikës së Kosovës në fuqizimin e sundimit të ligjit në kuadër të mandatit ekzistues për këshillim, mentorim dhe monitorim.

Dekorimi me medaljen presidenciale për sundim të ligjit paraqet vlerësimin dhe mirënjohjen e thellë të Republikës së Kosovës ndaj Ambasadorit Wigemark dhe EULEX-it për përkrahjen dhe bashkëpunimin e tyre të palëkundur në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të sigurt në Kosovë.

 

Exit mobile version