Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ka zhvilluar një sërë takimesh bilaterale me zyrtarë të lartë të disa shteteve.
Në takim me ministren gjermane të shtetit për Evropë dhe Klimë në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Ana Lührmann e ka falënderuar për mbështetjen dhënë Kosovës për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Presidentja gjithashtu ka mirëpritur progresin e arritur në takimet e fundit te nivelit ministror të Procesit të Berlinit në Berlin drejt finalizimit të disa marrëveshjeve që i kontribuojnë bashkëpunimit rajonal e në veçanti lëvizjes së lirë pa viza në mes 6 shteteve të rajonit dhe krijimit të Tregut të Përbashkët Rajonal.
Sipas Osmanit, ky proces duhet të vazhdojë krahas mbështetjes së Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor.
Osmani, në takim me ministren Lührmann, ka ritheksuar se Kosova tashmë ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim dhe se pret që heqja e vizave të ndodhë deri në dhjetor, duke mos u kushtëzuar me ETIAS, për fillimin e zbatimit të të cilit nuk ka ndonjë datë të qartë as Komisioni Evropian.
Ndërsa në takim me Anita Vandelbeld, sekretare në Ministrinë për Zhvillim Ndërkombëtar të Kanadasë, presidentes Osmani i është konfirmuar mbështetja e këtij shteti në rrugën euro-atlantike të Kosovës.
Edhe me Ilhan Kyuchuk, bashkëkryesues i Aleancës Liberal-Demokrate të Evropës (ALDE), njëherësh eurodeputet, me të cilin, gjithashtu diskutuan për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Eurodeputeti Kyuchuk konfirmoi mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën, sikurse edhe për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Ndërkaq me ish- presidenten e Estonisë, Kersti Kaljualid, ka potencuar se Kosova gjithnjë ka pasur vizion euro-atlantik dhe se shumica e kosovarëve jo vetëm që ndajnë vlerat e njëjta me vendet evropiane, por edhe janë më shumicë pro integrimit në BE.
Në takim me Eric Nelson, ambasador rezident në George C Marshall Center for Security Studies, presidentja Osmani ka diskutuar për përmbushjen e agjendës WPS, duke falënderuar SHBA-në për mbështetjen në organizimin e Forumit të sivjetmë.
Një pjesë e takimit iu kushtua sulmeve dhe kërcënimeve kibernetike, me të cilat Kosova po përballet kohën e fundit.
Ambasadori Nelson ka premtuar mbështetje ndaj Kosovës kundër sulmeve kibernetike.
Presidentja Osmani, në kuadër të aktiviteteve të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka takuar edhe Ruth Gaby Vermot, bashkëkryesuese e organizatës Peace Women Across the Globe.