Kosova ka qenë dhe do të mbetet mbështetëse e fuqishme e lirisë, sovranitetit dhe të drejtës së Ukrainës, kundrejt një fqinji agresive e gjenocidal dhe se tani është koha që Ukraina të marrë vendime të guximshëm për të themeluar raportet ndërshtetërore me Kosovën. Kështu ka deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në shënimin e 32-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës.
“Përkrahja jonë është parimore dhe orientohet nga vlerat e rrënjosura thellë në themelet e shtetit tonë sovran. Presim që Ukraina do të kthejë mbështetjen kah Kosova si shtet i pavarur dhe sovran dhe një aleate e natyrshme në këtë rajon”, ka thënë Osmani, sipas të cilës, lufta i ka afruar popujt dhe tani është koha “për vendime me kurajë për të themeluar edhe raportet tona”.
Vendet e QUINT-it, Zyra e BE-së në Kosovë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Mediumeve, mbajtën ceremoni formale për ta shënuar Ditën e Pavarësisë së Ukrainës.
Presidentja Osmani tha se narracioni i Rusisë që merr për shembull rastin e Kosovës për të arsyetuar luftën në Ukrainë, sipas saj, duhet të refuzohet nga të gjithë dhe askush s’duhet të bije në këtë kurth të Putinit. Ne e kemi përjetuar dhunën dhe shtypjen e luftës. “Jemi të bindur se shtypësit nuk njohin kufij e tiranët shkelin çdo kufij”, tha ajo.
Ndërsa ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka përshëndetur mbështetjen e Kosovës kundër agresionit rus, duke e konsideruar këtë s; “mbështetje që shkon përtej narratives” .
“Ajo nuk është e dukshme vetëm me shfaqjen e flamujve të Ukrainës nëpër qytetet e Kosovës e në objektet tona, por e dhënë edhe si mbështetje nga Qeveria, bashkë me iniciativat tona. Ne të gjithë e duam paqen dhe vazhdojmë t’i bëjmë presion presidentit rus, Putin që ta ndalë këtë luftë. Ukraina do të jetë sovrane pa asnjë lloj kushtëzimi”, ka deklaruar diplomati gjerman.
Një fjalë rasti në ditën e Ukrainës e ka mbajtur edhe gazetarja e parë ukrainase që u strehua Kosovë, Lyudmila Makey.
Në fjalën e saj, presidentja Vjosa Osmani rikujtoi në pika të shkurtra, historinë e dhimbshme të kaluar nga Kosova, ashtu sikurse Ukraina sot, derisa tha se Kosova është shtëpia e tyre e dytë. “Tashmë kemi mundësi unike që të zbulojmë Kosovën. Ne nuk jemi miq, jemi shokë shpirti”, deklaroi ajo duke falënderuar institucionet e Kosovës për mbështetje./RTK