Site icon PrishtinaPress

Osmani për targat: Me aleatët po bëjmë përpjekje për një zgjidhje brenda 48 orëve

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sonte në takim zëvendëskryeministrin Antonio Tajani, njëherësh ministër i Jashtëm i Italisë dhe ministrin e mbrojtjes Guido Crosetto, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në raport me dialogun me Serbinë.

Kosova e konsideron Italinë si një partnere, me të cilën synon thellimin e marrëdhënieve bilaterale në shumë fusha, ka theksuar presidentja Osmani, duke mirëpritur idenë e palës italiane për organizimin e një forumi të përbashkët ekonomik ndërmjet bizneseve të dy shteteve.

Sipas presidentes Osmani, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në fushën e reformave në drejtësi dhe zbatimin e sundimit të rendit e ligjit. Ajo ka theksuar se Kosova është një vend me potencial të madh të të rinjve të kualifikuar dhe se ofron mjedis të përshtatshëm për investime të huaja.

Nga zëvendëskryeministri italian Tajani, presidentja Osmani ka marrë mbështetje për liberalizimin e vizave, sikurse edhe për anëtarësimin ne Këshillin e Evropës.

Osmani ka vlerësuar kontributin e Italisë në kuadër të KFOR-it dhe ka theksuar nevojën për shtimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes.

Duke u ndalur te zhvillimet e fundit në vend, presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë në koordinim me aleatët dhe po bëjnë përpjekje intensive për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme për çështjen e targave brenda afatit 48-orësh.

Sipas presidentes, Serbia po përpiqet që nëpërmjet strukturave ilegale në veri të vendit ta destabilizojë Kosovën.

Osmani ka shprehur përkushtimin e Kosovës për paqe, siguri dhe sundim të ligjit në gjithë territorin e Republikës. Në këtë kontekst, ka potencuar se për sukses të procesit të dialogut, nevojitet trajtim i barabartë i palëve të përfshira.

“Më tej, presidentja Osmani nënvizoi se rezultati përfundimtar i dialogut duhet të jetë njohja reciproke. Në këtë frymë, ajo theksoi se procesi i dialogut nuk duhet lejuar të përdoret si instrument i Serbisë për ta minuar rrugën euroatlantike të Kosovës”, u tha në komunikatën e Presidencës.

Exit mobile version