Site icon PrishtinaPress

Osmani për shpronësimet në Veri: Kosova respektoi ligjin, aleatëve t’iu sqarohet më në detaje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur rreth reagimit të djeshëm të QUINT-it për shpronësimt në veri të Republikë së Kosovës. 

Osmani ka thënë se përderisa këto shpronësime janë në përputhje me ligjet, Kushtetutën dhe standardet e Gjykatës Evropiane, e përkrah çdo veprim që është në interes të sigurisë nacionale dhe të qytetarëve të Kosovës pa dallim.

 “Çështja e shpronësimeve për çdo qytetar, duhet të analizohet vetëm në aspekt të përputhshmërisë me ligjin dhe Kushtetutën. Çështja e shpronësimeve ka rregulla të caktuara, dhe këto përcaktohen jo vetëm me ligjet tona por edhe me standardet e gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut.

Përderisa shpronësimet janë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën dhe standardet e gjykatës evropiane, si presidente e Kosovës e përkrah çdo veprim që është në interes të sigurisë nacionale dhe qytetareve pa dallim”, ka thënë Osmani.

Tutje e para e shtetit ka thënë se mbase ka ende hapësirë për komunikim në mes të institucioneve përgjegjëse dhe partnerëve për të sqaruar në detaje dhe për t’u siguruar të gjithë që e tëra që Kosova ka bërë është respektim i standardeve të Gjykatës Evropiane.

Osmani ka thënë se s’sheh tendencë për diskriminim në baza etnike por thjesht respektim të standardeve.

Besoj që ka ndoshta ende hapësirë për komunikim që të sqarohen në detaje nga institucionet përgjegjëse tek partnerët , në mënyrë që të sigurohen që të gjithë, që e tëra që Kosova ka bërë është që ka respektuar standardet e gjykatës evropiane. S’shoh tendencë për diskriminim mbi baza etnike, por thjesht respektim i standardeve.

Detyra jonë është që të mbrojmë secilin qytetar pa dallim etnie dhe ta mbrojmë çdo cep të Kosovës”, ka përfunduar Osmani.

Ndryshe, dje, një deklaratë gjatë ditës, QUINT-i (SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë), BE-ja dhe OSBE-së (Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë), thanë se “Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit. Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin Qeveria ende nuk e ka adresuar”.

Në një përgjigje ndaj deklaratës së tyre të përbashkët, Qeveria e Kosovës shkroi në Facebook të enjten vonë se “paditësit kanë ushtruar padi kundër vendimit preliminar për shpronësim duke pretenduar shkeljen e ligjit në procedurë”.

“Gjykatat kanë gjetur se paditësit, përjashtimisht një numri të vogël të tyre, nuk kishin legjitimitet në procedurë, pasi të njëjtit nuk janë pronarë të pronave të cilat ishin subjekt i shpronësimit. Në vendimin përfundimtar, Qeveria ka reflektuar vendimet e gjykatave dhe ka përjashtuar nga shpronësimi pronat e paditësve të suksesshëm”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Qeveria e Kosovës ka filluar procesin e shpronësimit në komunën e Leposaviqit dhe atë të Zubin Potokut në mes të janarit të vitit 2023, kur disa toka atje i ka shpallur “pasuri të paluajtshme me interes të veçantë publik – të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”.

Bazuar në vendimin paraprak të Qeverisë, sipërfaqja e përgjithshme e shpronësimit të planifikuar atëkohë ka qenë rreth 104 hektarë në Leposaviq dhe rreth 33 hektarë në Zubin Potok.

Exit mobile version