Që nga mbrëmë, qindra qytetarë të Kosovës u bllokuan nga organet e rendit të Serbisë në pikat kufitare në dalje të këtij vendi për në Kroaci, dhe anasjelltas.
Rreth 300 qytetarë të Kosovës, që u mbajtën për rreth 13 orë, tashmë raportohet se janë liruar.
Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani e ka akuzuar homologun e saj serb, Alleksandar Vuçiq, për këtë ngjarje.
Ajo tha se kjo është një hakmarrje nga fqinji ynë verior pas votimit të djeshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës pro Kosovës.
“Serbia po hakmerret ndaj qytetarëve të Kosovës, një ditë pas votimit në APKE të Këshillit të Evropës, duke mbajtur peng shumë në pikat kufitare, duke i frikësuar, konfiskuar dokumente dhe duke i privuar nga ushqimi”.
“Një njeri është përgjegjës për këtë: Vuçiq”, tha Osmani në një postim në platformën X.