Presidentja Vjosa Osmani është shprehur falënderuese nga zemra për çmimin për media të njohur si “M100 Media Award” që e mori në Potsdam të Gjermanisë.
Ajo fjalimin e saj e nisi duke thënë se brezi aktual i fëmijëve në Kosovë janë gjenerata e parë që janë rritur pa luftë dhe ndjenjën e saj.
Osmani ka përmendur edhe dhimbjen që e ka populli i Ukrainës derisa janë duke përjetuar luftën e nisur nga Rusia.
“Mbrëmë, lexova një rresht nga një libër që më dhanë dhuratë dje në Varshavë. Aty thuhej: “Çdo brez fëmijësh… i ofron njerëzimit sërish mundësinë për të rindërtuar rrënimin e tij të një bote”. Më kujtoi se brezi aktual i fëmijëve në Kosovë, fëmijët tanë, janë gjenerata e parë në historinë e kombit tonë që u rrit pa luftë. Dhe ne duhet të sigurojmë, duhet të sigurojmë bashkërisht, që ata kurrë të mos e njohin të kundërtën e paqes dhe të kundërtën e demokracisë. Ne duhet të sigurohemi që ata të mos kalojnë kurrë atë që ne duhej ta kalonim”.
“Vetëm vitin e kaluar, isha e ulur në audiencë duke parë teksa po i jepnit çmimin M100 popullit të Ukrainës. Paraprakisht u shfaq një video. Një që përshkruan dhimbjen, vuajtjen, shkatërrimin e njerëzve të pafajshëm dhe shtëpive të stërgjyshërve të tyre, por gjithashtu tregon guximin, vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e ukrainasve për të luftuar për të lirinë dhe demokracinë, me çdo gjë që duhet”, është shprehur Osmani.