Site icon PrishtinaPress

Osmani: Pa SHBA-të, do ishim zhdukur si shtet

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka deklaruar se pa SHBA-në, Kosova do ishte zhdukur si shtet.

Në një intervistë për “Top Story” në Top Channel, Osmani ka theksuar se raporti me SHBA-në është ekzistencial për Kosovën.

Po ashtu ajo ka thkeksuar se kontributi i SHBA-së në Kosovë shihet në çdo sferë.

“Unë jam thellësisht e bindur se për suksesin e Republikës së Kosovës si shtet sovran i integruar në strukturat euroatlantike duhet të vazhdojmë ta trajtojmë raportin me SHBA si ekzistencial. Këtë fakt unë e kam përjetuar si një e re në politikë e angazhuar në proceset kyçe të pavarësisë së Kosovës, të njohjes së saj, të hartimit të Kushtetutës së parë të Republikës tonë, të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Asnjë sukses i yni nuk do të arrihej pa rolin ekzistencial të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kontributi i tyre shihet në çdo sferë, në çdo frymë të republikës tonë. Madje 4 korrikun unë e përmenda jo vetëm për simbolikën që ka, por edhe për të treguar se është ndërtuar për herë të parë ushtria jonë. Uniformat e para që kanë mbajtur ushtarët tanë kanë qenë uniformat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk është vetëm simbolikë, është një lloj zgjidhje afatgjate strategjike që tregon, ashtu sikurse e tha edhe Presidenti Biden në një nga fjalimet ikonike sa i përket pushtimit të Ukrainës, “në momentet më të rënda që përjeton, ka shumë rëndësi ku qëndron, për çfarë qëndron, por mbi të gjitha kush qëndron me ty”. Kosova ka përjetuar gjenocidin, ka përjetuar një situatë ku secilin prej nesh, edhe fëmijët në atë kohë, tentonin të na vrisnin për të na hequr nga faqa e dheut. Kjo nuk ka ndodhur para shumë shekujsh, është një përjetim që secili prej nesh në Kosovë e kujton çdo ditë. Prandaj nuk duhet të harrojmë kush qëndroj me ne në momentet kur Serbia tentoi të na zhdukte nga faqja e dheut. Kush qëndroi me ne kur bëmë hapat e para si shtet,” tha Osmani.

Exit mobile version