Në të kaluarën presidentët e Kosovës për festat e fundvitit, në bazë të Kushteturës merrin vendim për të falur të burgosurit, të cilët nga ministria e drejtësisë në bashkëpunim me Shërbimin Korrektues të Kosovës, vlerësoheshin se janë rehabilituar. Ndërkohë që nga viti 2021, përkundër kërkesave të mëdha, me dekret presidencial nuk është falur asnjë i burgosur. Nga zyra e presidentes thonë se komisioni për falje të personave të dënuar ka shqyrtuar 302 kërkesa për falje, ndërsa janë rekomanduar tre persona, dy prej të cilëve e kanë përfunduar dënimin.
“… Gjatë procesit të shqyrtimit nga Presidentja ashtu siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi, jemi njoftuar nga Ministria e Drejtësisë se dy personat e rekomanduar nga Komisioni, janë liruar nga Paneli për lirim me Kusht, andaj nuk ka pasur nevojë te procedohet për dekrete, ndërsa rekomandimi i tretë i Komisionit është në procedurë të shqyrtimit nga Presidentja”, tha Kupina.
Ndërkohë zëdhënësi i shërbimit korrektues të Kosovës, Florent Gashi, i tha RTV21 se që nga koha e ish-presidentëve, Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi, me dekret presidencial janë amnistuar 316 të burgosur.
“Për të gjitha kërkesat e të burgosurve për falje gjatë gjith vitit, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka përgatitur dhe proceduar në presidencë 97 kërkesa për falje. Deri më tani, lidhur me kërkesat për falje nuk kemi pranuar asnjë dekret nga presidentja e republikës së Kosovës. Ndërsa, që nga koha e ish-presidentit Fatmir Sejdiu deri tek ish-presidenti Hashim Thaçi me dekret presidencial janë falur 316 të burgosur”, tha Gashi.
Mos falja e të burgosurve me dekret presidencial nga këshilli për mbrojte dhe liri të njeriut, vlerësohet si shkelje flagrante. Drejtori, Behxhet Shala, thotë se në Kosovë ka të burgosur të cilët kanë përfituar lirimin në fundjavë e që, sipas tij, do të duhej të liroheshin.
“Edhe po të liroheshin 30% e të burgosurve në kosovë nuk do të shkaktonte ndonjë telashe, ka të burgosur të cilët për shkak të sjelljeve të mira në fundjavë shkojnë në shtëpi andaj pse ata të mos lirohen”, tha Shala.
Ndërkohë nga Institutin i Kosovës për Drejtësi thonë se presidentja po shpërfillë kërkesat e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Gëzim Shala nga ky institut, thotë se në rastin e presidentes e cila nuk bëri faljen e asnjë të burgosuri po e humb kuptimin e këtij institucioni.