Ish-komandanti I Brigadës së 549 të Ushtrisë së Jugosllavisë që akuzohen për krime lufte në Kosovë, Bozhidar Deliq ka marrë besimin e 197 deputetëve serbë për ta marrë pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë.
Për këtë lajm ka reaguar në Tëitter presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila bëri një krahasim me Kuvendin e Kosovës ku këtë post e mban një e mbijetuar e masakrave brutale të regjimit serb.
“Në Kosovë, Saranda Bogujevci, një e mbijetuar e masakrave brutale të regjimit gjenocidal të Serbisë, shërben si nënrkyetare e Parlamentit. Derisa, Parlamenti i Serbisë ka emëruar Bozhidar Deliqin, komandantin e brigadës që ka masakruar mijëra kosovarë, si nënkryetar”, ka shkruar Osmani.
Deliq ishte paraqitur dëshmitar i mbrojtjes në seancat në Tribunalin në Hagë në rastin e Sllobodan Millosheviqit, si dhe në rastin e Vladimir Lazareviqit, i cili është i shpallur fajtor për krime lufte në Kosovë.
Deliq në zgjedhjet e fundit në Serbi ishte bartës i listës “NADA”, derisa vota pro mori nga deputetët që shumica prej tyre janë pjesë të partisë së Aleksandër Vuçiqit.