Këshilli Konsultativ për Komunitete, nën udhëheqjen e presidentes Vjosa Osmani, ka mbajtur mbledhjen konstituive me përbërjen e re.
Sipas Osmaniy, Këshilli Konsultativ për Komunitete është dëshmi e përkushtimit të Kosovës për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të barabartë dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët.
Në fjalimin e saj, presidentja theksoi përkushtimin e saj të palëkundur për të siguruar që çdo qytetar – pa dallim etnie, feje apo gjuhe – të ndihet pjesë e vlerësuar dhe aktive e shoqërisë së Kosovës.
Presidentja Osmani vuri në dukje arritjet kryesore të këtij Këshilli përgjatë këtij viti, duke ofruar mbështetjen e plotë në përmbushje të objektivave.
“Një Kosovë e sigurt për fëmijët tanë në një botë ku siguria çdo ditë e më shumë rrezikohet nga forca të errëta dhe destabilizuese është një synim që na bashkon të gjithëve. Për Presidencën, ky është një prioritet dhe një angazhim i përditshëm”.
“Ne duhet të ecim besimplotë drejt integrimit, qoftë brenda vendit, qoftë në proceset euroatlantike”, ka theksuar Osmani.
Në përfundim të fjalës së saj, Presidentja nënvizoi se fuqizimi i komuniteteve është një përgjegjësi institucionale dhe një angazhim i drejtë që fuqizon shtetin tonë.