1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Osmani nderon post-mortem djalin e Joe Biden që shërbeu në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ceremoninë e dorëzimit të medaljes post-mortem për Beau Biden, djalin e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se në Kosovë, Beau Biden punoi për ta ngritur një sistem gjyqësor të pavarur dhe profesional, si dhe për ta forcuar sundimin e ligjit.

“Presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pati thënë: “Ju nuk jeni këtu vetëm për ta bërë të mundur jetën. Ju jeni këtu për t’ia mundësuar botës të jetojë më lirshëm, në një të ardhme më të ndritur, në frymën e shpresës dhe të arritjeve të mëdha. Ju jeni këtu për të pasuruar botën dhe do të varfëroheni nëse e harroni detyrën”. Me këtë thënie, presidenti Wilson, veprimet e të cilit sollën paqe në të gjithë botën, i referohej shërbimit të individit për vendin e vet. Edhe unë fuqimisht besoj se nuk ka asnjë kauzë më fisnike sesa të shërbesh”, tha ajo.

Tutje theksoi se janë të paktë njerëzit sikur i ndjeri Joseph Robinette “Beau” Biden III (i treti), të cilët e kanë shfaqur aq fuqishëm këtë përkushtim ndaj vendit dhe shërbimit për të, duke shërbyer si kapiten në Gardën Kombëtare të Ushtrisë Delaware, në Irak, pastaj si prokuror në zyrën e prokurorit amerikan në Philadelphia për nëntë vjet, dhe si i zgjedhur dy herë në pozitën e Prokurorit të Përgjithshëm në Delaware.

“Në Kosovë, Beau Biden punoi për ta ngritur një sistem gjyqësor të pavarur dhe profesional, si dhe për ta forcuar sundimin e ligjit. Andaj, jam shumë e nderuar që sot, së bashku me ju, mund t’ia njohim meritat Beau Bidenit dhe ta festojmë zyrtarisht kontributin e tij për vendin tonë. Sundimi i Ligjit, siç e dini, nuk është vetëm temë e rëndësishme për mua, por diçka së cilës ia kam kushtuar gjithë karrierën time profesionale. Kërkimi i drejtësisë dhe forcimi i sundimit të ligjit nuk është vetëm një lëndë abstrakte teorike apo akademike; kjo është një temë kaq e rëndësishme për mua ngaqë besoj se duhet të jetë synim i yni i përhershëm e t’i përcaktojë veprimet tona, meqë ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve tanë. Unë besoj se sundimi i ligjit është parakushti themelor për suksesin tonë si vend”, tha presidentja.

Më tej, Osmani deklaroi se krijimi i institucioneve dhe trajnimi i  gjyqtarëve, të cilin, së bashku me kolegët e tjerë amerikanë, Beau Biden e filloi para pavarësisë, sot përbën njërën ndër shtyllat kryesore të institucioneve më të rëndësishme të Kosovës.

“Dëshira për ta forcuar më tej sundimin e ligjit u bë jashtëzakonisht e qartë në kutitë e votimit në fillim të këtij viti. Qytetari ynë foli zëshëm, prandaj  është detyra jonë morale dhe politike që, si institucione, të sigurojmë se do të vazhdojmë përpara me reformat në sistemin tonë të drejtësisë”, tha Osmani.

Përveç marrëdhënieve personale dhe mirënjohjes për kontributin e jashtëzakonshëm të njerëzve të ndryshëm nga SHBA-ja në tri dekadat e fundit, sipas presidentes, unike mbetet edhe lidhja dhe dashuria e vërtetë që dy vendet tona kanë për njëra-tjetrën.

“Kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i popullit amerikan për vendin tonë, për lirinë tonë, për të drejtën tonë për të ekzistuar, e tejkalon raportin e partneriteteve, të tilla çfarë i njeh sot bota. Në ditët e mira, në të këqijat, në dritë dhe në errësirë, ne e ndiejmë dorën tuaj mbi supet tona”, shtoi tutje.

“Kosova është edhe shtëpia juaj. Burrave e grave të vendit tuaj, anëtarëve të stafit tuaj, stafit diplomatik dhe gjithë njerëzve të Amerikës, të cilët dëshirojnë ta vizitojnë këtë vend, u themi se do t’i shohim gjithmonë sikur të ishin njëri prej nesh. Institucionet tona dhe, më e rëndësishmja, secili qytetar yni, do t’i mirëpresë ata përherë krahëhapur. Flamujt amerikanë do të vazhdojnë të valëviten lart dhe me krenari në të gjithë Republikën e Kosovës – kjo është mënyra jonë për të treguar mirënjohjen tonë për mbështetjen që ju na keni dhënë për dhjetëvjetësha të tërë përmes njerëzve si Beau dhe çdo qytetari tjetër të Shteteve të Bashkuara, që ka kontribuar për paqen, sigurinë dhe shtetësinë tonë”, u shpreh nder të tjera presidentja Osmani.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img