Sopranoja e njohur, Elbenita Kajtazi është nderuar me titullin “Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës” nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.
Këtë e ka bërë të ditur vet Kajtazi me anë të një njoftimi në Facebook. Ajo ka theksuar se sa e gëzoi, ky nderim i Osmanit i ka dhënë edhe një obligim.
“Ardhja, kësaj herë në Atdhe më mbushi, përveç me dashurinë e pakursyeshme të familjes e të miqve, edhe me një kënaqësi të paprovuar deri më tani. Ishte kjo ftesa e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe dekorimi me titullin Ambasadore nderi e Republikës së Kosovës me motivacionin: “ Për arritje kulmore në muzikën klasike, prezantimin e vlerave muzikore Shqiptare në skenën ndërkombëtare, si dhe afirmimin e Republikës së Kosovës, mbrojtjen e promovimin e kulturës Shqiptare gjithandej nëpër botë“ Kjo, sa më gëzoi, po aq më ngarkoi me një obligim shtesë, që ta përfaqësoj edhe më mirë atdheun tim dhe veten në skenat botërore të Operës…”, ka shkruar Kajtazi.