Site icon PrishtinaPress

Osmani me delegacionet e SHBA-së dhe Gjermanisë: Ka tendenca për destabilizimin e rajonit tonë

Presidentja Vjosa Osmani, bashkë me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën kanë zhvilluar takime të ndara me delegacionin e Senatit amerikan dhe delegacionin e Bundestagut gjerman.

Fotografitë nga këto takime janë publikuar në faqen e presidentes Osmani në Facebook. Shefja e shtetit ka shkruar se është diskutuar për tendencat për destabilizimin e rajonit, reformat dhe fuqizimin e partneritetit.

“Në takime të ndara me delegacionin e Senatit amerikan dhe delegacionin e Bundestag-ut gjerman, i falenderuam per partneritetin e palëkundur dhe përkrahjen e madhe ndaj Kosovës. Diskutuam për tendencat e destabilizimit të rajonit tonë, për reformat e rëndësishme që po ndërmerren dhe për rëndësinë e fuqizimit të mëtejmë të partneritetit ndërmjet vendeve tona”, shkroi Osmani.

Paraprakisht, Presidenca tha se Osmani me Gërvallën dhe me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë vizitës në Kanada, në margjina të Forumit Ndërkombëtar për Siguri në Halifax u takuaa me një delegacion të Senatit amerikan në përbërje të të cilit ishin senatorët Jeanne Shaheen, Joni Ernst, Chris Coons dhe James Risch.

“Në këtë takim, Presidentja ka potencuar se diskursi nxitës nga Serbia është burim i destabilizimit në rajon, njësoj sikurse edhe tendencat ruse për shtrirjen e ndikimit negativ në rajon. Ajo theksoi se ky ndikim synon zhbërjen e arritjeve të SHBA-ve, BE-se dhe NATO-s në rajon lidhur me paqen, stabilitetin, demokracinë dhe sundimin e ligjit”, u tha në njoftimin e Presidencës.

Exit mobile version