Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se sot është prej ditëve më të trishta të përkujtimit të viktimave të luftës në Kosovë.
Ajo ka thënë se masakra e Poklekut dhe ajo e Çikatovës së Vjetër janë edhe dëshmi e dhimbshme se si akoma nuk ka drejtësi për viktimat.
“Këtu në Poklek ka ngjarë një holokaust i vërtetë. Siç edhe e dini, diku 54 anëtarë të familjeve Muqolli, Elshani dhe të tjerë, kryesisht gra dhe fëmijë, në fakt shumica e tyre fëmijë fillimisht janë ekzektuar pastaj janë djegur dy herë në mënyrë që të eliminohen gjurmët e këtij krimi të llahtarshëm të forcave serbe në Kosovë. Kjo është një ndër dëshmitë më të fuqishme se regjimi serb kishte për qëllim shfarosjen e popullit tonë dhe kishte për qëllim që asnjë shqiptarë të mos mbrtet në tokën e Kosovës”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja ka shtuar se kjo masakër, ashtu si edhe ajo në Çikatovë të Vjetër dëshmojnë egërsinë e këtij regjimi.
“Njëkohësisht janë edhe dëshmi e dhimbshme se si akoma nuk ka drejtësi për të gjitha këto viktima të popullit tonë. Personat që e kanë urdhëruar masakrën në Poklek, dihen me emër dhe mbiemër. Për ta janë mbledhur prova, por për fat të keq regjimi i sotëm në Serbi nuk po vendos drejtësi. Dhe ata që urdhëruan këto masakra po shpërblehen me pozicione edhe më të larta në Policinë e Serbisë”, ka thënë Osmani, duke shtuar se ende po vazhdon mendësia e mohimit të këtij gjenocidi”, tha Osmani.