Site icon PrishtinaPress

Osmani: Marrëveshja për të pagjeturit arritje e madhe në dialog

Presidentja Vjosa Osmani në një intervistë për BBC News, Weekend Programme, ka folur për marrëveshjen e arritur në Bruksel.

Osmani tha se marrëveshja e arritur për personat e pagjetur është një nga arritjet më të mëdha në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Unë mendoj se kjo është një nga arritjet më të mëdha të dialogut, sepse është një marrëveshje që prek direkt qytetarët tanë”, tha presidentja Osmani, derisa shtoi se mbi 1600 familje po përpiqen maksimalisht për të gjetur të afërmit e tyre, “që janë zhdukur me forcë nga regjimi i Millosheviqit”.

“Ne besojmë që janë në varreza masive në Serbi, por na nevojitej Serbia të bashkëpunonte. Tani kyçe është përmbushja e marrëveshjes” deklaroi e para e vendit.

Ndërkaq lidhur me Asociacionin me shumicë serbe, kryetarja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, qartësoi se Kosova nuk po ikë nga obligimet e saj,

Tutje bëri të ditur se Kosova është e gatshme të japë gjithçka që është në përkim me standardet evropiane, por jo ndonjë instrument që të mundë të shkelë sovranitetin dhe funksionin e Kosovës.

“Çka ne jemi të gatshëm të bëjmë, është të japim gjithçka që mundemi në përkim me standardet evropiane, për të akomoduar të drejtat e serbëve. Të drejtat njerëzore dhe të drejtat minoritare të serbëve. Por jo t’u japim serbëve një instrument përmes të cilit vazhdimisht do të injorojnë, të shkelin sovranitetin dhe funksionin e Kosovës si shtet” tha Osmani.

Exit mobile version